Për këdo që ka bërë plane për në fundjavë, lajmi i mirë është që moti pritet të jetë kryesisht me diell.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, duke nisur nga dita e sotme e deri më dtë 16, mundësia për reshje afatshkurtra dhe të lokalizuara do të jetë mjaft e vogël. Më të mundshme ato do të jenë në zonat malore, gjatë pasditeve. Në raste shumë të rralla pritet që këto reshje të shoqërohen me rrufe dhe breshër.

Pjesën e mbetur të ditës së sotme, era pritet të mbetet problematike në disa zona, sidomos në orët e mesditës. Më e ndjeshme në ajo do të jetë në bregdetin e Jugut dhe në terrenet e larta malore, ku në momente të caktuara pritet t’i kalojë 50 km/orë.

Gjatë ditës së shtunë, era do të pësojë një dobësim të lehtë, ndërsa të dielën do të forcohet gradualisht. Edhe mjegulla do të jetë e pranishme, kryesisht në zonat malore në Lindje, veçanërisht në lugina.

Instituti i Gjeoshkencave thotë se deri të hënën ekziston rreziku për rënien e zjarreve kryesisht në pjesët Jugperëndimore dhe Juglindore të territorit.

Ndërkohë, ashtu siç shumë mund të kemi vënë re, mëngjesin e kësaj të premteje, shumë automjete ishin mbuluar nga pluhuri, i cili e ka prejardhjen nga Saharaja. Ky pluhur pritet të na shoqërojë deri shtunën në mesditë.

Sa i përket temperaturave, ato do të jenë kryesisht të larta.