Pas  katër orësh ka marrë fund pritja e gjatë e pasagjerëve të dy trageteve të Barit në terminalin e trageteve në Durrës.

Prej orëve të para të mëngjesit, sistemi TIMS i policisë dhe ai doganor nuk funksiononte duke bërë që në terminal dhe brenda në traget të “ngujoheshin” me dhjetëra pasagjerë të cilët pasi kishin udhëtuar për 10 orë me traget, pritën edhe mbërritjen e sistemit për të vulosur pasaportat në kufi.

Policia kufitare i kishte punonjësit e saj në sportele, por ata nuk mund të bënin asgjë deri në momentin që duhet të kishte sistem në kompjuterat e tyre, ku edhe bëhet kontrolli dhe identifikimi i personave që hyjnë në Shqipëri nga kjo pikë kufitare.

Rreth orës 11:00 u zhbllokua situata. Filimisht u vulosën dokumentet e pasagjerëve që pritën në terminal, dhe më pas u lejua që trageti i dytë të hapë dyert për të zbarkuar pasagjerët në terminal. Mjaft të shqetësuar e të irrituar janë shprehur pasagjerët, të cilët të sfilitur nga udhëtimi i gjatë e i lodhshëm me traget, kanë qenë të detyruar të prisnin brenda ambienteve të terminalit për shkak të papërgjegjshmërisë së autoriteteve.

K.H.