Pasi denoncoi në media mungesën e ujit të pijshëm në burgun e Durrësit dhe të mungesës së makinave për transportin e të dënuarve në gjykatë në datë 9 janar të këtij viti, punonjësit e burgut të Durrësit u hakmorën duke e izoluar për 20 ditë Kleves Bitron.
Dënimi i marrë për këtë çështje ka bërë që Bitro t’i drejtohet gjykatës për të vënë drejtësi, në një çështje ku të dënuarit në burg i hiqet çdo e drejtë njerëzore dhe humane. I dënuari i ka kërkuar gjykatës së shkallës së parë të rrethit, rrëzimin e masës disiplinore të marrë nga Këshilli i Disiplinës në IEVP-në Durrës ndaj tij në datë 10 janar 2017. Seanca është mbajtur në sallën penale, ku i dënuari renditi shkeljet ligjore që i janë bërë nga këshilli disiplinor i burgut.
Në kërkesën që lexoi Bitro, më tej paraqiti 11 shkelje ligjore sipas tij, që i janë bërë nga data 10 janar deri në 31 janar, kohë kur u mbajt i izoluar veçmas të dënuarve të tjerë.
“Nuk më janë lejuar takimet më familjarët e mi deri në datën 17 janar pa urdhër prokurori e pa shkresë.
Nuk më janë lejuar telefonatat pa vendim prokurori, komisioni i disiplinës nuk u kryesua nga drejtori por nga shefi i personelit, nuk më është lejuar thirrja e dëshmitarit në proces dhe vendimi me shkrim i masës më është dorëzuar në datën 19 janar për të mos kapur afatin e ankimimit.
Gjthashtu deri tani nuk kam asnjë përgjigje nga komisioni i ankimimit të Apelit.
Përdorimi i prangave brenda ambienteve të burgjeve është i paligjshëm. Jam dënuar për një fakt që nuk është i parashikuar as në rregulloren e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Nuk mu garantua e drejta për të thirrur dëshmitarë.
Nuk kam njoftim me shkrim nga komisioni i apelit.
Në përfundim, masa ime e komisionit disiplinor me motivacionin e kryerjes së veprimeve me qëllim përfitimi është qesharake e pacaktuar, e padrejtë, groteske dhe me një ndjenjë të theksuar hakmarrjeje. Dhunimi i procedurave në dhënien e masës disiplinore, shkeljet flagrante të ligjit e bëjnë të pavlefshme dhe në tejkalim të ligjit të masës disiplinore, ndaj i kërkoj gjykatës të rrëzojë këtë masë disiplinore të dhënë nga këshilli i disiplinës datë 11.01. 2017.
Me këtë proces i jepet mundësia gjykatës të bëjë drejtësi. I jepet mundësia të provojë se pavarësisht se kush e ka kërkuar rrëzimin e masës disiplinore, gjykata nuk e paragjykon dhe meqenëse në mes është një institucion si IEVP Durrës, kundër një individi, ajo nuk mund të mbështesë një të dënuar apo një të paraburgosur në të drejtën e tij. Ky proces është një mundësi për të treguar të vërtetën lakuriqe, dhe dhunimn flagrant të ligjit, nga ata që supozohet se administrojnë shkelësit e ligjit. E ndërsa të supozuarit si shkelës të ligjit janë në burg, autoritetet e burgut shkelin ligjin brutalisht e rrinë jashtë. Por ky nuk është non sensi i vetëm shqiptar”.
I dënuari Kleves Bitro i ka dërguar kërkesë edhe Ministrisë së Drejtësisë e cila mban datën 9 shkurt 2017, dhe është firmosur nga Juliana Hoxha, sekretare e përgjithshme e IEVP-së Durrës. Sipas Bitros, sekretarja e përgjithshme u transferua nga ky vend pune, pas dërgimit të kësaj shkrese në Ministrinë e Drejtëisë.
Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, gjykatësja e çështjes Besiana Garxeni, shpalli moskompetencën e gjykatës së parë të Durrësit për këtë çështje. “Gjykata nuk ka kompetencë lëndore në gjykimin e çështjes dhe dërgimin në gjykatën administrative për shqyrtim këtë çështje”.





