Me dhjetëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar prej më shumë se dy orësh në terminalin e trageteve në portin e Durrësit.
Shkak është bërë bllokimi i sistemit TIMS të policisë, që shërben për verifikimin e personave që hyjnë e dalin në pikat kufitare.
Katër sportele të policisë janë në gatishmëri, por punonjësit e policisë nuk kanë çfarë të bëjnë, pasi sistemi nuk funksionon, duke lënë kështu në pritje burra, gra, të moshuar e fëmijë, që kanë udhëtuar për gjatë gjithë natës nga Bari i Italisë drejt Durrësit.
Ata janë të detyruar të presin deri sa të zhbllokohet sistemi TIMS për vulosjen e pasaportave. Po ashtu, mësohet se edhe 30 kamionë kanë mbetur të bllokuar gjithashtu.
Fotot e “DurrësLajm” pasqyrojnë më së miri situatën e rënduar që është aktualisht në portin më të madh të vendit.





