Një ditë pas vetëvrasjes së polices 23-vjeçare Peranxhela Shahini me armën e shërbimit, misteri vazhdon të shoqërojë arsyen që e shtyu vajzën e re të ndërmerrte këtë akt ekstrem.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për DurrësLajm se hetimet janë përqendruar tek telefoni celular i punonjëses së policisë, i cili pritet të hedhë dritë mbi shkakun që e shtyu vajzën e re të qëllonte veten me pistoletë.

Në mungesë të një letre, ku Peranxhela të sqaronte arsyen e vetëvrasjes dhe në pamundësi për të zbuluar nga familjarët e vajzës apo koleget e saj ndonjë shqetësim të saj kohët e fundit, hetuesit presin që pikëpyetjet që shoqërojnë këtë vetëvrasje të mund t’i zbardhin nga telefoni celular.

Mësohet se policja 23-vjeçare duhej të paraqitej mëngjesin e djeshëm në punë, por ajo ka telefonuar një nga kolegët e saj duke e lajmëruar se nuk mund të vinte, pasi ishte e sëmurë.

Gjithashtu dyshohet se ajo ka vënë për pak kohë në Whatsapp foton e një mashkulli dhe më pas e ka hequr atë.

Celulari i vajzës dhe tabulatet telefonike mund të zbardhin misterin e shkakut që e shtyu drejt vetëvrasjes, akt ky që shokoi familjarët dhe kolegët.

Ata i dhanë sot me lot në sy lamtumirën e fundit punonjëses së policisë Peranxhela Shahini, e cila kujtohet prej secilit prej tyre si një vajzë shumë e mirë, një punonjëse policie shembull për t’u ndjekur dhe një kolege pune mjaft korrekte.