Ekipi kombëtar i qitjes së Indisë është mbajtur për 24 orë në aeroportin “Indira Ghandi” të Nju Delhit, pasi armët e garës që ata kishin marrë me vete për në turneun që u zhvillua në Rio de Zhaneiro ishin pa leje. Të paktën kështu deklaroi zyra doganore në aeroport, që ka mbajtur në një zyrë të gjithë qitësit, që sapo ishin kthyer nga turneu në Amerikën Latine dhe përgatiteshin për një tjetër, që nis këtë fundjavë në Mynih.

“E turpshme, pasi armët tona ishin me leje dhe i kishin të gjitha dokumentacionin e duhur. Nuk na lejuan të lëviznim dhe humbëm një ditë stërvitje. Kjo nuk është hera e parë që ne lëvizim me armë zjarri për garë. Nuk na lejuan as të shpjegohemi dhe pritëm me orë të tëra deri sa u sqaruam. Për fat të mirë kjo gjë ndodhi në vendlindjen tonë dhe nuk na i morën armët, por nga ana tjetër na vjen turp që nuk na besonin patriotët tanë”, thanë anëtarë të ekipit kombëtar indian të qitjes.