Mbrëmjen e së mërkurës emisioni “Fiks Fare” zbuloi mashtrimin e një 30-vjeçari, që shtirej si invalid, duke lypur në rrugët e Tiranës.
Gazetarët ndoqën një ditë “pune” të një lypësi, i cili zvarritej në trotuare dhe rrugë, duke i kërkuar lëmoshë kalimtarëve. I riu kishte veshur 5 palë pantallona, për mos t’u kuptuar që njërën këmbë e kishte përthyer, duke lënë të kuptohet se ishte invalid.
Kamera e “Fiks”-it dokumentoi mashtrimin e djalit të panjohur. Gazetarët e shoqërojnë në momentin që 30-vjeçari del nga oborri i fakultetit të Filologjisë. Ai shoqërohet në distancë nga i vëllai, i cili thotë se në një ditë të zakonshme përfitojnë 4 deri në 5 mijë lekë të vjetër, sa për bukën e gojës. Ai pohon se janë të rralla ditët që nxjerrin nga 10-15 mijë lekë. Gjatë bisedës, djali tregon se, krahas vëllait, shoqërohet edhe nga babai.
Ndërkohë, gjatë kohës që gazetari i “Fiks Fare” filmon lypësin mashtrues, policia bashkiake i kërkon gazetarit që të largohet dhe të mos e shqetësojnë lypësin. Gazetari i u tregon se po e ndjek, pasi lypësi i ka të dyja këmbët dhe po mashton. “Është detyra juaj ta ndiqni”, shprehet gazetari, por punonjësi i policisë bashkiake shprehet se nuk mund ta fusin atë në makinën e tyre.
Megjithatë, “Fiks”-i vijoi filmimet deri në përfundimin e “punës”, kur lypësi zhvishet. Ai zvarritet nga trotuari deri në një pjesë betoni në afërsi të Lanës. Në një pusetë të hapur lypësi tregon se ka fshehur çantën me rroba. I pyetur nga gazetarët se si ka mundur t’i fshehë aty rrobat, ai tregon se e ka ndihmuar i vëllai për t’i qëndruar deri në fund mashtrimit të tij. Por pasi sheh këmbënguljen e gazetarëve, 30-vjeçari merr çantën dhe fillon të heqë një e nga një pantallonat. Plot 5 palë të tilla. Në këtë moment del hapur mashtrimi, pasi 30-vjeçari i kishte të dyja këmbët. Njërën këmbë e kishte përthyer. Ai ngrihet në këmbë, merr në supe çantën dhe largohet duke buzëqeshur, me “pagën” e tij ditore, duke mashtruar qytetarët.





