Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Rusia ka tentuar të godasë avionin e tij presidencial me dronë në dy raste gjatë javëve të fundit.
Në një intervistë për CBS News, Zelensky tha se incidentet kanë ndodhur gjatë udhëtimeve të tij përmes Moldavisë dhe i lidhi ato me përpjekjet e Moskës për të frikësuar drejtuesit ukrainas dhe zyrtarët e huaj që mbështesin Ukrainën.
“Në Moldavi, avioni im presidencial ndodhej aty dhe për këtë arsye ata sulmuan”, tha Zelensky.
Megjithatë, sipas raportimeve të ndryshme për ngjarjen e 8 shtatorit, avioni i presidentit ukrainas nuk u sulmua drejtpërdrejt. Fluturimi i Zelenskyt, i cili pritej të nisej nga Moldavia drejt Oslos për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të mbretit Harald V, pati një vonesë pasi një dron hyri në hapësirën ajrore moldave. Sipas këtyre raportimeve, droni nuk iu afrua avionit presidencial.
Zelensky e ka lidhur gjithashtu këtë incident me sulmin e fundit rus ndaj infrastrukturës hekurudhore të Ukrainës.
Më 13 shtator, një dron me motor reaktiv goditi një tren pasagjerësh pranë Yahodyn, në rajonin e Volynisë, vetëm pak kilometra nga kufiri me Poloninë. Në tren ndodheshin 206 persona, mes tyre edhe zyrtarë të huaj, përfshirë ish-kryeministrin britanik Boris Johnson dhe ish-drejtorin e CIA-s, David Petraeus. Nga sulmi nuk pati viktima.
Duke folur për praninë e zyrtarëve amerikanë në tren, Zelensky shprehu dyshime se Rusia mund të ketë qenë në dijeni të tyre.
“Ndoshta nuk e dinin që disa amerikanë kishin qenë atje, ose ndoshta e dinin, sepse unë nuk u besoj. Mendoj se e dinin”, deklaroi presidenti ukrainas për CBS News.
Zelensky i ka paraqitur këto episode si pjesë të një përpjekjeje më të gjerë për të ushtruar presion dhe për të frikësuar Ukrainën dhe mbështetësit e saj ndërkombëtarë.





