Parlamenti i Kosovës mblidhet sot për të votuar një mocion mosbesimi ndaj qeverisë të paraqitur nga partitë opozitare.

Nëse mocioni siguron 61 vota në Parlamentin 120 vendësh të Kosovës atëherë merr fund qeveria aktuale dhe mbetet në duart e presidentit të vendit që të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Nëse mocioni refuzohet nga shumica, atëherë një mocion i ngjashëm nuk do të mund të hidhej në votim për tre muaj të tjerë.

Lidhja Demokratike e Kosovës është duke kundërshtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ndërsa partneri i saj qeverisës Partia Demokratike nuk ka kundërshtuar një mundësi të tillë dhe përfaqësues të saj kanë shtuar kritikat ndaj partnerit në koalicionin qeverisës si dhe kanë hedhur firmat e tyre në mbështetje të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Zgjedhjet e përgjithshme me afat kushtetues do të duhej të mbaheshin vitin e ardhshëm, por, zhvillimet e fundit kanë bërë që zgjedhjet e parakohshme të shihen si një rrugëdalje nga situata e krijuar tash e gati dy vjet për shkak të mospajtimeve të thella veçanërisht rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie, është vënë në përpjekje disaditëshe për të nxitur votimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Mungesa e votave për një gjë të tillë, bëri që qeveria e Kosovës ta shtyjë dërgimin e projektligjit në parlament për ditën e sotme, por sfidë ende mbetet sigurimi i votave të deputetëve të koalicionit qeverisës.

Partia Demokratike ka kërkuar edhe garanci nga Lidhja Demokratike që të sigurojë të gjitha votat e deputetëve të saj, para se çështja e marrëveshjes për shënimit të kufirit me Malin e Zi të hidhet për votim në parlament.

Partia Demokratike tha të martën se kjo çështje do të duhej të hidhej të mërkurën për votim para mocionit të opozitës. Por zyrtarë të Lidhjes Demokratike thanë se qeveria do të përballet fillimisht më sprovën e mocionit të mosbesimit dhe nëse mbijeton, do të vazhdojë me marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi.

/VOA/