Mediat audiovizive që transmetojnë në analog kanë afat deri në datën 30 qershor për të kaluar në transmetimin numerik.
Nëpërmjet një deklarate, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), njofton se data përfundimtare e mbylljes së transmetimeve analoge në qarqet Tiranë e Durrës është data 30 qershor 2017.
“AMA ju tërheq vëmendjen të gjithë subjekteve audiovizive që ushtrojnë veprimtari televizive analoge, të marrin masat për të mbështetur programin e tyre në rrjetin numerik të RTSH-së ose në njërin prej rrjeteve numerike kombëtare të licencuara nga AMA”, thuhet në njoftimin e AMA-s.
Gjithashtu, njoftohet edhe publiku i cili përfiton transmetimet televizive nëpërmjet teknologjisë analoge, se pas 30 qershorit nuk mund të shohin më transmetime televizive nëse nuk pajisen me marrës digjital (dekoderë të tipit DVB-T2).





