Për një kanaçe Pepsi, Coca-cola apo Fanta të shtypesh në radhë, e në fund të mos kesh fatin ta pish një të tillë.

Kështu u ndodhi fëmijëve kavajas një ditë më parë, në stadiumin “Besa”. Bashkia e kishte planifikuar aktivitetin si një festë birre, me qëllim mbylljen e fushatës elektorale. Qytetarë kavajas dhe shumë të tjerë nga rrethinat, sapo kishin mësuar lajmin se birrat dhe pijet freskuese jepeshin falas kishin zënë radhën.

Por tek 2 frigoriferë, ku shpërndaheshin pijet freskuese fëmijët “vriteshin" në radhë për një kanaçe. Në një moment, si rezultat i shtyrjeve, ndodhi që vetë adoleshentët të hapnin frigoriferin e të merrnin çfarë kishte brenda, ndërsa punonjësit e shërbimit nuk mund të bënin më asgjë.

Për të marrë falas një pije freskuese, është e tepërt të krijohet gjithë kjo rradhë dhe njerëz që shtyjnë njëri-tjetrin për të marrë diçka.

Më fatlumët shijuan kanaçen që u ra në dorë, ndërsa dëgjonin dhe deklaratën e kandidatit në garë të PS, që u detyrua të tërhiqej, pas deklaratës së kryeministrit Rama. 

Ishte më shumë se e trishtueshme, kur skena si ato të vitit ’90, kur shqiptarët zgjasnin duart për bukë në kampet e ngritura në Bari e Brindizi, përsëriten sërish e kjo në një aktivitet për mbylljen e fushatës elektorale të kandidatit socialist për bashkinë Kavajë.

Pamjet nuk duan shumë koment, ato gjykohen vetë nga qytetarët.

K.H.