Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave të ish-presidentit Bujar Nishanit, i cili tha se ia e dinte më herët se Sali Berisha ishte shpallur non grata në Shtetet e Bashkuara.

Në një postim në Facebook, Basha shkruan se Nishani ka bërë shpifje të ulëta dhe kjo vjen nga inati dhe mllefi personal i ish-presidentit.

Sipas Bashës këto sulme nxisin përçarje në parti por ai nuk do ta lejojë këtë të ndodhë dhe se nga këto zgjedhje PD duhet të dalë më të fortë dhe më të bashkuar.

“E kam nisur fushatën për zgjedhjet brenda partisë me bindjen se nga kjo garë duhet të dalim më të fortë dhe më të bashkuar. Kam refuzuar reagimet që nxisin përçarje edhe pse çdo ditë ndaj meje janë hedhur sulme personale dhe politike të pavërteta dhe të padrejta. Por çdo gjë e ka një limit. Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit. Por sot ai limit është kaluar, sepse lidhet me një çështje që ka prekur thellë jo një individ, jo Sali Berishën por gjithë partinë tonë. Këto shpifje të ulëta i shërbejnë vetëm atyre që bëjnë gjithçka të përçajnë Partinë Demokratike. Dhe unë këtë nuk do ta lejoj.”