Në kuadër të nismës së Bashkisë Durrës, për realizimin në muajin maj të dëgjesave publike lidhur me përgatitjen e buxhetit afatmesëm 2018-2020, ditën e djeshme, më datë 4 maj 2017, Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore si dhe Drejtoria e Shërbimeve, kanë zhvilluar dëgjesën publike të radhës me qëllim prezantimin e investimeve, projekteve dhe shërbimeve kryesore që bashkia ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2018-2020 për Paketën Fiskale dhe Programin “Infrastruktura rrugore dhe transporti publik” për zonën e plazhit dhe Shkozetit.
Dëgjesa publike e radhës është zhvilluar në Shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri”, në Hekurudha Plazh. Në këtë takim kishte një pjesëmarrje të gjerë, ku ishin të pranishëm më së shumti përfaqësues nga zona e Plazhit si dhe disa përfaqësues nga zona e Shkozetit.
Gjatë dëgjesës publike, në pjesën e parë, pjesëmarrësit janë informuar mbi Paketën Fiskale për periudhën 2018 – 2020. Kështu, Drejtori i Taksave dhe Tarifave Vendore, Avdyl Koka, informoi të pranishmit lidhur me strukturën e paketës fiskale dhe rëndësinë e pagesës së taksave dhe tarifave në funksion të ofrimit të shërbimeve më të mira në gjithë territorin e bashkisë, ecurinë e të ardhurave në vite të bashkisë nga taksat e tarifat. Gjithashtu, Koka u ndal edhe në problematikat lidhur me menaxhimin e taksave tarifave nga administrata e bashkisë.
Ndërkohë, në pjesën e dytë të dëgjesës, pjesëmarrësit janë informuar mbi projektet dhe investimet kryesore në infrastrukturën rrugore për vitet 2018-2020 për zonën e Plazhit dhe të Shkozetit. Hysen Çifligu përfaqësues i Drejtorisë së Shërbimeve, u ndal më së shumti në investimet në infrastrukturë, shërbime publike, realizimin e investimeve në kohë dhe me cilësi të ndërtesave urbane (si shkolla, kopshte, çerdhe etj).
Gjithashtu, gjatë dëgjesës publike u ngritën disa problematika nga banorët e zonës, kryesisht në lidhje me ndërhyrjet dhe mirëmbajtjen e rrugicave të lagjeve të segmentit Plepa-Shkozet, rikonstruksionin e një rruge në Kënetë pranë Burgut “Nikolin Xhoja”, ndriçimin e Urës së Dajlanit etj.





