Një stuhi pluhuri ka përfshirë një pjesë të madhe të Kinës Veriore duke përfshirë këtu edhe kryeqytetin, Pekinin, e cila ka shkaktuar një tjetër krizë në cilësinë e ajrit në vend. Ekspertët kanë bërë të ditur se niveli i papastërtisë së ajrit ka kaluar limitin e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetit.

Autoritetet kineze kanë këshilluar banorët që të shmangin aktivitetet jashtë dhe fëmijët dhe të moshuarit të qëndrojnë në ambiente të mbyllura. Pluhuri ka ardhur nga Mongolia, njoftojnë më tej autoritetet kineze.

Autoritetet kanë bërë të ditur se dukshmëria në Pekin është në nivel të ulët. Një numër i madh fluturimesh janë shtyrë ose janë anuluar. Ky nivel i lartë i papastërtisë së ajrit ka nisur që të mërkurën.

Populli kinez është shprehur shumë i shqetësuar lidhur me këtë çështje duke theksuar se shëndeti i tyre është në rrezik.

Kina është prekur vazhdimisht nga ndotja e ajrit gjatë viteve të fundit, veçanërisht në dimër teksa disa prej qyteteve të saj veriore djegin qymyrguri për tu ngrohur.

Autoritetet janë përpjekur ta ndalojnë ndotjen e ajrit duke mbjellë më shumë pemë, mes masave të shumta si reformimi i industrisë së qymyrgurit dhe mbylljes së fabrikave. Pekini dha alarmin e kuq për herë të parë, për nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit në vitin 2015, por një gjë të tillë e ka përsëritur disa herë.