Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin zhvilluan sot një takim, për të pestën herë që pas krizës së avionit rus në vitin 2015.
“Dy liderët u takuan në rezidencën shtetërore në Soçi”, njoftoi agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency (AA).
“Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan gjatë vizitës së tij në Rusi tha se hapi që do të ndërmarrin Rusia dhe Turqia do të ndryshojë fatin e rajonit”, shtoi Anadolu Agency (AA).
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushoglu, zëvendës sekretari i përgjithshëm i Presidencës turke Ibrahim Kalın dhe kreu i shërbimeve sekrete, Hakan Fidan, ndërsa nga pala ruse ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, ministri i Mbrojtjes Sergey Shojgu si dhe këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme Jurij Ushakov.
Dy liderët para takimit kanë mbajtur një fjalim përshëndetës, ku presidenti Erdogan fjalën e tij e ka nisur duke shprehur falënderimet për këtë takim.
“Po përjetojmë një periudhë ku mbi ne ka përgjegjësi të rëndësishme. Besoj se hapi që do të ndërmarrin Rusia dhe Turqia do të ndryshojë fatin e rajonit”, theksoi Erdogan.
Presidenti rus Vladimir Putin theksoi se marrëdhëniet Turqi-Rusi kanë një rëndësi të veçantë.
“Shpreh falënderimet që keni pranuar ftesën tonë dhe keni ardhur në Soçi. Marrëdhëniet tona vazhdojnë të zhvillohen plotësisht në mënyrën që jemi dakorduar. Në këtë takim ku jemi mbledhur në një ambient pune jam i kënaqur që do të gjejmë mundësinë për të vlerësuar çështjet dypalëshe dhe ato rajonale kryesisht për Sirinë”, theksoi Putin.
Ndër të tjera duke uruar presidentin Erdogan në lidhje me rezultatet e referendumit popullor për ndryshimet kushtetuese në Turqi, Putin tha se “Përparimi i mëtejshëm i situatës së brendshme politike në Turqi, do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e marrëdhënieve turko-ruse.
“Një pjesë e madhe e vendimeve që do të marrim bashkë me ju janë të një rëndësie strategjike dhe kjo kërkon miratimin e parlamenteve tona”, shtoi ai.





