Gjatë këtij muaji partnerët e koalicionit (PDK-LDK) pritet t’i sqarojnë të gjitha dilemat nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme apo do të vazhdojnë të bashkëqeverisin deri në qershor të vitit tjetër. Megjithatë, opsioni i zgjedhjeve të parakohshme po shihet si më i mundshëm, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Muaji maj pritet të jetë vendimtar për dy partnerët e koalicionit qeverisës (PDK-LDK) që të vendosin për zgjedhje të parakohshme apo ta çojnë deri në fund mandatin, përkatësisht deri në qershor 2018.

Megjithatë, opsioni i zgjedhjeve të parakohshme nga analistët po shihet si më i mundur, duke i marrë parasysh përplasjet mes partnerëve në koalicion si dhe dështimin e miratimit në Kuvend të Demarkacionit me Malin e Zi si njëri nga dy kushtet e BE-së për liberalizim të vizave.

Në anën tjetër, këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, ka thënë për “Zërin” se koalicioni nuk ka probleme rreth funksionimit.

“Koalicioni qeverisës nuk ka probleme serioze funksionimi dhe si i tillë do të duhej ta përfundonte mandatin vitin e ardhshëm”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Gecaj ka thënë se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por vetëm nëse për një gjë të tillë, siç thotë ai, bien dakord dy partitë më të mëdha në vend.

“Se a do të shkojë Kosova në zgjedhje të parakohshme a jo e kam thënë tani e disa herë, varet plotësisht nga LDK-ja dhe PDK-ja”.