Prania e Artur Maganit në radhët e Teutës duket se është kthyer në një problem për trajnerin Gugash Magani. Pas barazimit me Flamurtarin, ai pranoi se administrimi i një situate të tillë, ishte shumë i vështirë.

-Pse nuk u aktivizua djali juaj Artur Magani?

Sulmuesit maten me gola. Magani ka pasur një problem, kontraktim në kofshë dhe gjatë javës është stërvitur me grupin, por jo në 100% dhe nëse do ta fusja nga fillimi edhe mund të digjej zëvendësimi. Progni është lojtar me eksperiencë nuk shënoi edhe për meritë të Halilajt. Maganit ia kam thënë gjithmonë që kur skuadra nuk është mirë, do vuajë prezencën time këtu. Kjo është puna e trajnerit dhe i bëj thirrje edhe kolegëve të mi të mos e kenë djalin e tyre në skuadër se është problem i madh

-Teuta vuan mungesën e golave…

-Hutimi para portës është sëmundje që jemi munduar ta shërojmë, por nuk kemi arritur t’ia dalim. Duhet të kesh lojtarë cilësorë në sulm dhe po vuajmë. Krijojmë shumë goditje standarde, faulle dhe raste para portës dhe kur vjen momenti final nuk shënojmë. Nuk shënojmë se nxitohemi.Skuadra ka luajtur me grintë dhe dëshirë, por ka luajtur me këmbë më shumë se sa me mend. Kemi pasur momente që mund ta kishim ndëshkuar kundërshtarin, por edhe mund të ndëshkoheshim. Mendoj se rezultati 0-0 është i drejtë. Lamë dy pikë që na duheshin në shtëpi.

-A kishit vështirësi ndaj një kundërshtari që mbrohet?

-Mendoj se vështirësia lind me atë që ke në organikën e skuadrës, pasi duhet të menaxhosh çdo moment fuqitë fizike dhe të mos kesh probleme me ekuilibrat. Ne na ndodhi, pasi harxhuam shumë energji dhe mbrapa toleruam. Mund të ishim ndëshkuar. Një skuadër përgatitet mirë kur ke edhe cilësi brenda. Ne jemi poshtë me pikë dhe nuk kemi qetësi psikologjike. Lojtarët herë pas here nuk kanë logjikë të ftohtë”.

-A ka rrezik për një nënvlerësim të mundshëm të Korabit?

-Nëse e marrim lehtë do e gjejmë veten në Kategorinë e Parë. S’ka shans që kjo ndeshje të merret lehtë. Unë respektoj të gjitha skuadrat dhe Korabin që bëri një ndeshje të mirë me Vllazninë që lufton për vendin e katërt. Ne nuk na lejohet asnjë gabim. Edhe kjo ndeshje si të gjithë të tjerat i ka të tre rezultatet brenda. Me Korabin duhet të futemi për 3 pikë, pasi nuk ka më kthim mbrapa”.

-Si e komentoni mungesën e tifozëve në tribuna?

-Në këtë rast nuk është gabimi ynë, i klubit apo presidentit. Ne jemi në pozita të vështira. Mendoj se ky sezon u fillua keq, pasi kur kam ardhur kam gjetur të ndërruar 3 trajnerë. Ka edhe kjo ndikimin e vet. Në vitin 2017, mendoj se kemi punuar mirë dhe nuk kemi luksin të mos fitojmë pikët e mbetura.