Lorenco Vila e mbylli kampionatin me 10 gola, duke qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Teutës.
Sulmuesi i krahut, një talent durrsak prodhim i akademisë së Teutës, është parë i përlotur dje, teksa festonte me shokët në pritje të ceremonisë së titullit.
“Sigurisht që është një kënaqësi e veçantë. Puna që kemi bërë gjatë gjithë sezonit u shpërblye me titullin kampion. Kemi kaluar një vit me shumë presion dhe stresin e rezultatit, që në fund të arrijmë ta mbyllim me trofe. Jam i lumtur që ia dolëm dhe për këtë kanë meritë të gjithë. Për mua ishte një ëndërr që fëmijë dhe tashmë ndihem i realizuar, pasi me ekipin e zemrës kam fituar gjithçka. Tashmë na mbetet të mendojmë për Ligën e Kampioneve, aty ku natyrisht çdo futbollist ëndërron të luajë një ditë. Shpresoj që Teuta të bëjë historinë edhe në Champions”, ka thënë Vila.
Në fund, i pyetur për të ardhmen, duke qenë se në drejtim të tij ka pasur interesime konkrete nga klube jashtë Shqipërisë, 22-vjeçari deklaroi:
“Tani është momenti të festojmë të gjithë, të shijojmë këtë sukses të madh për Durrësin dhe ne si pjesë e ekipit, që u futëm në histori. Të ardhmes nuk i dihet asnjëherë, thjesht tani nuk e mendoj fare këtë.”





