Teuta i është rikthyer stërvitjes me intensitet. Trajneri Magani nuk e ka ngarkuar ekipin me kritika, por u ka kërkuar që ta shohin si ndeshje finale atë kundër ekipit të Flamurtarit. Sipas tij, kjo është një ndeshje që nëse fitohet, i jep një frymëmarrje ekipit sa i përket qëndrimit në Superiore.Një sfidë ndaj një kundërshtari direkt, e cila duhet vlerësuar shumë më tepër se edhe ndaj ekipit të kreut të tabelës. Peqinasi në këtë ndeshje do të ketë në dispozicion dhe Kotobellin, ndërkohë që mungesë e rëndësishme do të jetë ajo e Tarik.Magani dhe ndihmësit e tij kanë zhvilluar një seancë stërvitore rreth dy orë dhe kanë kërkuar që të ketë angazhimin maksimal nga të gjithë pa përjashtim.
Ndeshja kundër vlonjatëve duhet të flasë për Teutën dhe se e folura duhet të bëhet në fushën e lojës ditën e takimit.Dervishi ka pasur si detyrë të merret me repartin e mesit të fushës, ku ka dhënë udhëzimet e tij rreth rikuperimit të topit, por dhe pasimit të shpejtë, ndërkohë që Kapllani ka stërvitur tre portierët e tij: Moçka, Kastrati dhe Shala. Numri një i pankinës ka udhëzuar të gjithë ekipin, por më shumë fazën sulmuese ku u kërkon Ribajt, Maganit, Prognit, Çyrbes, Faizalit dhe Mustës që të jenë më të saktë si dhe të jenë gjatë gjithë kohës në kërkim të topit.Ai nuk kërkon vetëm goditje drejt portës, por edhe rikuperim dhe krijimin e aksioneve nga vetë sulmuesit duke i dhënë mundësi dhe mesfushës që të jetë e rrezikshme. Për ta mbyllur, Magani ka provuar goditjet standarde me disa lojtarë të ndryshëm, në mënyrë që ditën e ndeshjes të jetë gjithçka më e qartë se kush duhet të godasë standardet në pozicione të ndryshme.