Ndalimi i liderit të AAK-së Ramush Haradinajt pritet të marrë fund nesër në seancën e tij të radhës në Colmar të Francës. Haradinaj, i cili po mbahet në ndalim në shtetin francez, nga 4 janari i këtij viti në bazë të akt-akuzave të vitit 2004 nga shteti serb akuzohet për krime të kryera ndaj komunitetit serb dhe atij rom, shkruan gazeta “Zeri” në Kosovë.
Mirëpo, ashtu siç ka thënë edhe mbrojtja e liderit të AAK-së, në seancën e tij të fundit edhe njohësit e çështjeve juridike në Kosovë përsërisin se ato janë akuza të fabrikuara dhe tashmë është argumentuar kjo gjë.
Madje, sipas njohësve të politikave të BE-së, edhe gjykata franceze tashmë e ka të qartë rastin e ish-komandantit të UÇK-së dhe nuk pritet të ketë vonesa të mëtejshme. Edhe njohësit e çështjeve juridike dhe kushtetuese thonë se ish-kryeministri i Kosovës pritet të lirohet.
Ndërkaq në AAK kanë thënë për “Zërin” se nëse drejtësia vendos, Haradinaj të enjten do të kthehet në Prishtinë.