Dy persona kanë mbetur të vrarë sot në një atentat me armë zjarri në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Sukthit. Një prej viktimave është ish-shefi i Krimeve të Tiranës, Ervin Dalipaj, i akuzuar për pengmarrjen dhe vrasjen e Gazmend Çollakut.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:55, në afërsi të vendit të quajtur "Mbikalimi i Sukthit", ndërsa viktima tjetër është Xhino Dautaj.
Viktimat janë qëlluar me breshëri plumbash, teksa po udhëtonin me një Audi. Kjo vihet re qartë edhe nga fotot e publikuara nga “DurrësLajm”, ku mjeti duket i bërë shoshë nga plumbat.
Informacioni paraprak i policisë:
Më datë 25.04.2017, rreth orës 13: 55, në afërsi të vendit të quajtur "Mbikalimi i Sukthit" janë vrarë me armë zjarri, shtetasit E.D. dhe Xh.D.
Viktimat kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip Audi.
Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivët e Policisë, të cilët po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
KUSH ISHTE ERVIN DALIPAJ

Ervin Dalipaj ka mbajtur postin e Shefit Kundër Krimit Ekonomik në Tiranë deri në tetor të vitit 2013, kur u pezullua nga detyra me urdhër të ish-ministrit Tahiri, pasi nuk kryeu detyrën gjatë operacionit “Fundi i Marrëzisë” për bllokimin e lojërave të fatit.
Ky i fundit akuzohet se ka bashkëpunuar me pronarët për t’i fshehur policisë makineritë e lojërave të fatit. Dalipaj dhe shefi i krimit të Korçës ishin dy prej 12 shefave të qarqeve që dekonspiruan këtë aksion. Ai gjithashtu akuzohet si i përfshirë në rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut më 6 janar të vitit 2016. Për vrasjen e 34-vjeçarit Çollaku ndodhet në burg aktualisht Denis Shtraza.





