*Tri investimet për ujin e pijshëm në zonat rurale
Bashkia e Durrësit nënshkroi disa ditë më parë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit marrëveshjen për tri investime të rëndësishme për furnizimin 24 orë me ujë të zonave në njësinë administrative Katund i Ri, njësinë Rrashbull (Arapaj dhe ish-ferma Xhafzotaj) si dhe zona sipër shinave të trenit në Shkëmbin e Kavajës. Marrëveshja në fjalë synon ndërtimin e rrjeteve të reja të furnizimit me ujë, rehabilitimin ose ndërtimin e depove si dhe vendosjen e pompave në zona ku kërkohet rritje e presionit të ujit. Marrëveshja midis bashkisë së Durrësit dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit është mundësuar pasi më parë Ujësjellës Kanalizime Durrës ka garantuar furnizimin me ujë për zonat në fjalë në sasinë dhe presionin që ka kërkuar studio e projektimit. Bëhet fjalë për studion “Posch&Partner”, e cila ka hartuar projektet e furnizimit me ujë të zonave në fjalë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes në bashki midis kryetarit të bashkisë Vangjush Dako dhe koordinatorit të FSHZH Avni Dervishi, përfaqësues të Ujësjellës Kanalizime Durrës dhe studios projektuese kanë zhvilluar dëgjesat publike në Katundin e Ri, Arapaj dhe ish-fermën Xhafzotaj. I gjithë investimi për të tri projektet është rreth 8 milionë euro ku 10% e kësaj shume do të jepet nga Bashkia e Durrësit, ndërsa pjesa tjetër është kredi e butë që i jepet qeverisë shqiptare nga banka gjermane për zhvillim KFW.
Projekti i zonës së Katundit të Ri
Projekti për furnizimin me ujë te njësia administrative Katund i Ri përfshin fshatrat: Jubë, Erzen, Qerret, Katund i Ri, Fllakë, Sektori Rinia, Mamëz dhe lagjja mirditore. Kjo zonë do të furnizohet me ujë nga burimi i Fushë Kuqes me kapacitet 720 litra ujë për sekondë, i cili do të depozitojë ujë në depon e Jubës, e cila ka kapacitet 1350 m3. Fondi i investimit në total për këtë njësi është 4 698 658 euro. Depoja në fjalë gjendet në lartësi 42 metër mbi nivelin e detit dhe ajo do të furnizojë një popullatë prej rreth 16 219 banorë me ujë me presion 24 orë. Për të garantuar furnizim me ujë pa ndërprerje UKD garanton sasinë e kërkuar të ujit nga projektuesi dhe presionin 2 bar, i cili është i mjaftueshëm për të furnizuar të gjithë fshatrat e mësipërm. Nga ana tjetër projekti parashikon ndërtimin e një depoje të re me kapacitet 200 m3 ujë në fshatin Mamëz. Gjendja aktuale e rrjetit të shpërndarjes në këtë zonë është mjaft e dobët. Investimi i fundit është kryer në vitin 2012 me një material të cilësisë së dobët. Në rrjet janë konstatuar shumë lidhje të paligjshme dhe aktualisht, pjesërisht zona furnizohet me 2-4 orë ujë në ditë. Zona në fjalë vetëm në një pjesë të vogël ka rrjet të kanalizimeve të ujërave të zeza, ndërsa pjesa më e madhe i shkarkojnë ato në kanalin që derdhet në det. Projekti parashikon që çdo banor i zonës të furnizohet me të paktën 120 litra ujë në ditë, ndërkohë që është marrë në konsideratë edhe rritja e popullsisë për 20 vitet e ardhshme. Tubacioni që ka propozuar studio e projektimit është HDPE 100-RC, i cili duron presion të lartë të ujit. Në total rrjeti shpërndarës për njësinë Katund i Ri do të jetë 55.5 km, ndërkohë që do të ndërtohen edhe 25 hidrantë kundër zjarrit përgjatë rrugëve në fshatrat e zonës.
Projekti Arapaj-Xhafzotaj
Projekti për zonën në fjalë parashikon furnizimin me ujë të pijshëm për një zonë me rreth 12 500 banorë. Zona në fjalë gjendet 7 km në veri-lindje të qytetit të Durrësit dhe është parashikuar që Arapaj dhe ish ferma Xhafzotaj të kenë burime të ndryshme furnizimi me ujë. Fshati Arapaj do të furnizohet nga depoja e Arapajt, e cila ka kapacitet 6000 m3 ujë. Ish ferma Xhafzotaj do të furnizohet me ujë me presion nga linja kryesore që vjen nga Fushë Kuqja. Në Xhafzotaj do të realizohet një lidhje e re nga tubacioni kryesore në hyrje të fshatit ku linja e re me tubacion 200 mm do të garantojë ujë 24 orë për këtë zonë me presion 5 bar. Për gjithë rrjetin shpërndarës të Xhafzotaj do të shtrohen 7.2 km linjë, ndërsa në Arapaj 11.7 km. Fshati Arapaj do të furnizohet me rrjedhje të lirë, pasi depoja gjendet në pikën më të lartë të kodrës. Aktualisht në të dy fshatrat gjendja e furnizimit me ujë është mjaft e keqe, pasi zona ka vetëm 2-4 orë ujë në ditë dhe lidhjet e paligjshme kanë bërë që të ketë humbje të mëdha në rrjet. Projekti i propozuar nga studio e projektimit shkon në 2 434 958 euro.
Projekti për zonën Shkëmbi i Kavajës (sipër shinave)
Njësia administrative Rrashbull (shkëmbi i Kavajës, sipër shinave të trenit) do të furnizohet me ujë nga puset e Çermës të cilët sigurojnë prurje prej 200 litra ujë në sekondë. Ujo do të shkojë në depon e re që po ndërtohet në Manskuri me kapacitet 4000 m3 dhe më pas furnizon zonën sipër shinave të trenit tek shkëmbi i Kavajës. Zona në fjalë ka një popullsi prej rreth 4200 banorë. Në këtë zonë ka kryesisht banesa private si dhe dy hotele të mëdha. Kjo zonë nuk ka rrjet të furnizimit me ujë as nga Ujësjellës Kanalizime Durrës dhe as nga ai i Kavajës. Zona merr ujë kryesisht nga puset që akne hapur vetë banorët dhe furnizim me autobote. Projekti parashikon ndërtimin e rrjetit të ri të transmetimit dhe shpërndarjes. Për këtë zonë nevojitet minimalisht 30-50 litra ujë në sekondë, por tubacioni i Çermës siguron 200 litra ujë në sekondë. Projektuesi ka parashikuar ndërtimin e një stacioni në fushë ku dy pompa të fuqishme do të funksionojnë për të shtyrë ujin drejt depos në Manskuri dhe më pas zona do të furnizohet me ujë me rrjedhje të lirë. Depoja e Manskurisë gjendet në një lartësi 57 m mbi nivelin e detit dhe garanton furnizim 24 orë me ujë. Në këtë projekt janë parashikuar të ndërtohen edhe 7 hidrantë kundër zjarrit. Në total janë planifikuar ndërtimi i 1.5 km linjë e re transmetimi dhe 4.5 km linjë shpërndarëse. Vlera totale e investimit në këtë zonë është 825 935 euro. Në të tre projektet, sipas marrëveshjes së nënshkruar, janë parashikuar që të kryhen edhe lidhjet fundore në çdo banesë, instalim matësish si dhe trajnim i stafit të UKD-së nga specialistë vendas dhe të huaj.





