Prokuroria ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në Portin e Durrësit ku në dy raste kaluan 10,2 tonë kanabis me kamion. Në dosjen hetimore ndodhen pamjet e datave 5 shkurt dhe 24 mars, ditë kur kanë kaluar ngarkesat me drogë.
Nga këqyrja e këtyre pamjeve, por edhe e regjistrave të shërbimit në Portin e Durrësit, ngrihen dyshime se 19 të arrestuarit kanë bashkëpunuar me trafikantët.
Sipas hetuesve, në të dy rastet kur ka kaluar droga, në turn kanë qenë të njëjtët persona si në rastin e 5 shkurtit kur u trafikun 8 tone kanabis, ashtu edhe më 24 mars ku nga porti dolën 2,2 tonë.
Për prokurorinë, punonjësit e policisë dhe ata të doganave nuk kanë kryer kontrollet e duhura duke lejuar kalimin e kamionëve me lëndë narkotike.
Punonjësit e policisë dhe të doganave kontrollonin vetëm pasaportat dhe dokumentacionin e kamionëve si dhe këqyrjen nga jashtë. Pavarësisht se në rastin e kalimit të 8 tonëve, kamionit i ishte ndryshuar destinacioni dalës.
Në këtë rast sipas ligjit doganor, mjeti duhet të kishte kaluar në skanerë, gjë e cila nuk është bërë. /Tv Klan