Ditë të vështira priten për biznesin vendas. Policia nuk tërhiqet nga vendimi për të kontrolluar deri në fund të gjitha mjetet e eksportit, duke shkaktuar vonesa e pengesa të mëdha në pikën kufitare të portit të Durrësit.
Frika kanë mbërthyer oficerët e policisë dhe të doganës në Durrës, panik i cili kthehet në kosto e humbje prej mijëra eurosh për biznesin vendas, i cili ka nënshkruar kontratat për dorëzimin e mallit në kohë.
Arrestimi i 18 punonjësve të policisë, doganës, antidrogës dhe një agjenti doganor me urdhër të prokurorisë pak ditë më parë, pas kapjes së mbi 10 tonëve kanabis sativa, nga ana e policisë italiane në portin e Ankonës, drogë e cila ka kaluar nga porti i Durrësit, ka bërë që autoritetet të ashpërsojnë kontrollet në kamionët që nisen për eksport, duke mos lejuar më asnjë mjet të dalë pa skanim dhe kontroll të imtësishëm nga policia kufitare.
Si rezultat i këtyre procedurave, trageti i Ankonës është nisur me tre orë vonesë nga porti i Durrësit mbrëmjen e shkuar. Me katër orë vonesë në orën 03.00, të mëngjesit të sotëm janë nisur dy tragetet e Barit, duke pritur policinë që të kryente kontrollin e mjeteve deri në fund.
Policia
“Nuk ka më kontroll në bazë të riskut, por të gjithë pa përjashtim në kontroll. Mbrëmë kishim 170 kamionë, sikur 10 minuta për kontroll të gjithë duhen 1700 minuta, ose 28 orë kohë për t’i kontrolluar të gjithë. Kur koha fizike mungon policët nuk firmosin për daljen e asnjë mjeti nga terminali dhe nisjen e tyre në Itali pa kontroll” tha kreu i policisë kufitare të portit të Durrësit.
Biznesi
Biznesi vendas është vënë para një situate shumë të vështirë. Subjektet eksportuese kanë nënshkruar kontrata për dorëzimin e mallit dhe për çdo vonesë ka kosto reale për ta. Bizneset kanë bërë skanimin në doganë dhe presin që të bëjnë kontrollin fizik të mjetit nga policia, pasi kanë prerë biletën e tragetit dhe kanë kryer të gjitha procedurat e tjera të nevojshme. Operatorët e biznesit nuk duan të dinë nëse ka apo jo kontrolle, ata duan një klimë të mirë për ushtrimin e aktivitetit të tyre, për më tepër që prej taksave të tyre paguhen policët, doganierët dhe mbushet arka e shtetit.
K.H.





