Disa ditë pas arrestimit të disa efektivëve të Policisë Kufitare të Durrësit dhe doganierëve, të dyshuar sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda se mund të kenë lidhje me kalimin e kamionit me 8 ton drogë të kapur në Itali, situata në portin e Durrësit është normale.
Sipas burimeve të “Durrëslajm”, kontrollet e mjeteve dhe kamionëve janë kryer si në ditë normale dhe nuk janë regjistruar vonesa dhe kontrolle më të imtësishme. Ndërkohë, këto ditë, fluksi i mjeteve që udhëtojnë drejt brigjeve të Italisë ka qenë më i lartë për shkak të periudhës së pashkëve, kohë kur shumë emigrantë kthehen në atdhe.
Fotot e realizuara pasditen e sotme nga "DurrësLajm" në pikat e kontrollit në port dëshmojnë një situatë në kushtet e normalitetit.
Më herët gjatë ditës, "DurrësLajm" raportoi për një protestë të agjentëve doganorë në Durrës dhe Tiranë në shenjë kundërshtimi për arrestimin e 3 kolegëve të tyre. Ata kanë bllokuar të gjitha praktikat doganore pas orës 14.30.
Kujtojmë se dy ditë më pare, 18 doganierë e policë u arrestuan pasi dyshohet se janë të përfshirë në trafikun e 10.2 tonëve drogë që kaluan nga porti Durrësit në Itali. Ndërkohë dje në pranga ra edhe një tjetër doganier, po për të njëjtën arsye, duke e çuar në 19 numrin e të arrestuarve.
Përsa i përket nisjes me vonesë të trageteve të linjës Durrës-Bari, burime portuale bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se në datat 16, 17 dhe 18, dy tragetet e kësaj linje janë nisur me vonesë (pas orës 00.00), për shkak të fluksit të lartë të pasagjerëve, që ktheheshin në vendet ku jetojnë e punojnë.
Ndërkohë, mbrëmjen e së martës, kur është regjistruar edhe vonesa më e madhe (tragetet janë nisur në orën 01.10 dhe 01.25) mësohet se shtyrja e orarit të nisjes ka ardhur jo vetëm për shkak të fluksit të udhëtarëve, por edhe motit të keq, që përfshiu mbrëmjen e djeshme gjirin e Durrësit.
M.P.





