Kamioni që u bllokua në Ankona të Italisë me 8 ton hashash, rezulton se ka hyrë nga Maqedonia në Shqipëri bosh.
Këtë fakt, e konfirmoi kompania private e skanimit, e vendosur në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës. Prokuroria, mësohet se ka marrë në pyetje punonjësit e turnit të datës 4 dhe 5 shkurt të këtij viti, kohë edhe kur ka hyrë në territorin shqiptar kamioni nga Maqedonia me shoferin Zoran Stajonoski. Të gjithë punonjësit e pyetur, i kanë konfirmuar hetuesve se kamioni i është nënshtruar skanimit dhe në asnjë rast nuk është konstatuar drogë. Veç pyetjes së tyre, prokuroria mësohet se ka sekuestruar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë së skanerit dhe foton e skanimit të kamionit.
Në këto pamje në asnjë moment, punonjësit e skanerit nuk kanë konstatuar lëndë narkotike të fshehur në rimorkion e kamionit. Pamjet e skanerit dhe dëshmit e punonjësve të tij, nuk kanë bindur hetuesit, se kamioni ka ardhur bosh nga Maqedonia në Shqipëri. Veç kësaj, edhe të arrestuarit në Qafë Thanë, punonjësit e policisë, doganierët dhe agjentët doganore, kanë pretenduar se kamioni ka hyrë bosh në Shqipëri ku edhe është plumbosur e më pas është nisur për në destinacion, raporton ABCNews.
Sipas akuzës, fillimisht shoferi ka njoftuar si destinacion daljen pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, por më pas e ka devijuar atë për në portin e Durrësit. Këtë ndryshim të destinacionit, në sistem e kanë ndryshuar agjentët doganore, për të cilët janë ngritur dyshime se kishin dijeni për trafikun e drogës. Për këtë fakt edhe janë arrestuar edhe personat e tjerë, si punonjës policie, kontrollor pasaportash, shoqërues të qenit antidroge e doganier të ndryshëm, të cilët nuk kanë kontrolluar përsëri rimorkion, e cila ishte plumbosur nga doganierët e Qafë Thanës. Burimet thonë se dyshohet se kamioni është ngarkuar në zonën e Elbasanit duke mos dëmtuar plumbosjen.





