Babë e bir përfundojnë në pranga pas një sherri në familje për shkak të nuses.
Sipas njoftimit të policisë, vjehrri ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nuses së djalit. Ndërsa për t’i dalë në mbrojtje bashkëshortes, djali ka rrahur babanë pasi i rrahu gruan.
Ngjarja ka ndodhur në Devoll në familjen Alevica, ndërsa në pranga u vunë shtetasit Gjerak Alevica 52 vjeç dhe Ledion Alevica 34 vjeç (at e bir), të dy banues në fshatin Kuç-Devoll.
“Arrestimi i tyre u bë pasi, më datë 18.04.2017, në banesë shtetasi Gjerak Alevica për motive të dobëta ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike, ndaj nuses së djalit të tij shtetases V.A, 33 vjeç (bashkëshortja e 34 vjeçarit). Gjithashtu edhe shtetasi Ledion Alevica, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj babait të tij Gjerak Alevicës”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Dhuna në familje”.





