Dafina Zhubi nuk është vetëvrarë por është vrarë, ka konstatuar një Institut zviceran. Sipas ekspertizës, po të vetëvritej e ndjera, do të kishte gjurmë baruti dhe gjaku në duar. Eksperti ka vënë në dyshim vendimin e prokurores se rastit, Fitore Sadikaj e cila vitin e kaluar konstatoi se Dafina Zhubi ka kryer vetëvrasje. Ajo ka liruar nga paraburgimi të dyshuarin, Astrit Dibra. Vendimin e ka marrë nën ndikimin e kryeprokurorit të Prishtinës, Imer Beka.
Një institut zviceran ka konstatuar se Dafina Zhubi nuk ka kryer vetëvrasje, por është vrarë. Ekspertiza vë në dyshim konstatimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës e cila vdekjen e Zhubit e cilësoi vetëvrasje.
Instituti i quajtur “Forensicons” e drejtuar prej prof. dr. Ulrich Zolinger ka nxjerrë një raport prej gjashtë faqesh të bazuar në dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, me anë të së cilit përjashton çdo mundësi që 35-vjeçarja ta ketë qëlluar veten me armë në kokë.
Eksperti mjekoligjor jep argumente të hollësishme se një gjë të tillë nuk e ka bërë ajo, por dikush tjetër ka shtënë me armë në kokën e saj nga një distancë shumë e afërt.
Mes fakteve të shumta se Dafina Zhubi është vrarë argumenton se në duart e të ndjerës nuk janë gjetur grimca baruti e as pika gjaku që shkaktohen në secilin rast vetëvrasjeje.
Ekspertiza që është kryer me kërkesë të Selim Zhubit, babait të së ndjerës, tashmë është në duart e Prokurorisë së Shtetit.
Prokuroria pritet që të kërkojë kryerjen e një ekspertize tjetër të pavarur në Gjermani. Në rast se del rezultat i njëjtë me atë të Zvicrës, Astrit Dibra pritet të akuzohet për vrasjen e Dafina Zhubit.
Zhubi vdiq më 17 shkurt 2016 në banesën e Astrit Dibrës në Prishtinë.
Dibra u liruar nga paraburgimi muaj më parë pasi prokurorja e rastit, Fitore Sadikaj erdhi në përfundim se e ndjera ka kryer vetëvrasje e jo vrasje. Këtë konstatim ajo e nxori me direktiva të shefit të saj, Imer Beka.
Kësisoj, Astrit Dibra u la i lirë. Ai tashmë është larguar nga Kosova.
Ekspertiza e ekspertit zviceran është krejtësisht në kundërshtim me konstatimet e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
"Si përmbledhje mund të thuhet që pamja e gjurmëve të gjakut, pozita përfundimtare e viktimës dhe pozita e armës nuk përputhen me një vetëvrasje me anë të një qitjeje që e depërton dhe kalon kokën që gjoja ndodhi në anën e djathtë të shtratit nga pozita në këmbë”, shkruan në raportin e nënshkruar nga eksperti, Ulrich Zolinger.
Ai thotë se bazuar në raportet hetimore, Zhubi është vrarë si pasojë e qitjes me armë nga afërsia absolute.
"Për momentin nuk e përjashtoj që ka pasur dy të shtëna, ku ajo në roletë u bë për të larguar vëmendjen nga goditja e parë. Prandaj e konsideroj si të nevojshme të ekzaminohet predha nga roleta për ADN dhe gjak nga Dafina”, shkruan në raport.
Po që se gjurmë të tilla mungojnë, kjo tregon për një të shtënë të mëparshme. Kjo mund të ketë ndodhur në dysheme pranë shtratit. Me gjasë askush nuk ka shikuar atje. Ka mundësi që tepihu është mënjanuar, por dyshemeja nën të ende ekziston”, vazhdon raporti.
Ai i rekomandon avokatit të familjes që të kërkojë një ekzaminim të dyshemesë dhe tepihut për të nxjerrë një pamje më të qartë të asaj se çfarë ka ndodhur.
Mjeku ligjor zviceran thotë se pamja e gjurmëve në vendin e ngjarjes është vendimtare për të nxjerrë dallimin midis vetëvrasjes dhe veprës penale.
"Dhe kjo pamje gjurmësh nuk përputhet aspak me pohimet e Astrit Dibrës. Gjatë marrjes në pyetje policore ai (Astrit Dibra v. j.) tha se kur hapi derën e dhomës së fjetjes, Dafina gjendej para tij në këmbë mbi shtrat në një distancë prej 2 metrash kur ajo lëshoi të shtënën. Sinjalizimi i vetë, i mundshëm gjurmësh për vendin e qitjes të pohuar nga Dibra do të ishte gëzhoja e fishekut që gjendej pranë shtratit djathtas. Mirëpo, ajo mund të jetë sjellë më vonë”,
konstaton më tej ai.Në nëntor të vitit të kaluar u zbulua se si kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka kishte ndikuar mbi prokuroren, Fitore Sadikaj që vdekjen e Dafina Zhubit ta cilësojë si vetëvrasje, e jo vrasje. Kishte ndikuar po ashtu që ta lironte nga paraburgimi të dyshuarin, Astrit Dibra.
Vendimin për këtë konstatim, prokurorja e rastit e kishte marrë bazuar, siç thotë ajo, në prova dhe në konsultim me eprorin e saj.
Mirëpo, vlerësimi që i është bërë provave të mbledhura gjatë hetimeve nga Prokuroria e Shtetit, çonin në dyshimin se vajza nga Gjakova me shtetësi zvicerane, ishte vrarë nga i dashuri i saj.
Ajo kishte vdekur në banesën e Astrit Dibrës në lagjen “Emshir” në Prishtinë. Ishte gjetur e shtrirë në shtratin e dhomës pa shenja jete. Një plumb kishte shpuar kokën e saj. Dibra kishte thënë se kishte qenë në dhomën tjetër kur kishte dëgjuar të shtënën.
Në një takim në mes të kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, prokurorit nga kjo zyrë, Lulzim Sylejmani dhe kryeprokurorit të Prishtinës, Imer Beka ishte nxjerrë përfundimi se duhet të ngrihet aktakuzë për vrasje bazuar në prova.
Takimi ishte mbajtur pasi nëna e viktimës dhe avokati i saj ishin ankuar se prokurorja e rastit nuk po i përfillte kërkesat e tyre dhe po refuzonte të kryente veprime hetimore që do të ndikonin në zbardhjen e së vërtetës.
Insajderi kishte siguruar dosjen e këtij rasti në të cilën përfshihen disa shënime zyrtare. Mes tyre është edhe një shënim zyrtar i prokurorit të Shtetit, Lulzim Sylejmani, i cili në cilësi të mbikëqyrësit kërkon nga prokurorja, Fitore Sadikaj, që të ngre aktakuzë kundër të dyshuarit për veprën penale të vrasjes.
Me gjithë këtë kërkesë të bazuar në prova, prokurorja Sadikaj kishte marrë vendim që të lirojë nga paraburgimi Astrit Dibrën dhe t’i mbyllë hetimet për vrasje, duke e cilësuar vdekjen e të ndjerës si vetëvrasje.
Për këtë vendim, prokurorja Sadikaj kishte bërë një shënim zyrtar në të cilin konstaton konsultat me Imer Bekën për mbylljen e hetimeve.
"Më datën 5 korrik 2016 rreth orës 10:30 jam takuar me kryeprokurorin z. Imer Beka. Kemi shikuar shkresat e lëndës dhe mendimi i përbashkët ka qenë që në këtë çështje penale nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale – vrasje pasi që të gjitha provat që i kemi siguruar gjatë hetimeve rezultuan se tani e ndjera Dafina Zhubi ka bërë vetëvrasje”, thuhet në këtë shënim zyrtar.
Prokurorja Sadikaj thoshte se në atë takim kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka e kishte thirrur prokurorin Ilaz Beqiri, i cili kishte qenë në vend të ngjarjes dhe se për një kohë ka qenë në dijeni për rrjedhën e hetimeve.
Sipas Sadikajt, prokurori Beqiri shumë bindshëm kishte shprehur mendimin se në këtë rast nuk ka elemente të veprës penale të vrasjes.
"Që të dy (Imer Beka dhe Ilaz Beqiri v.j.) më thanë që të dyshuarit t’i ndërpritet paraburgimi dhe të pushohen hetimet”, shkruan në këtë shënim zyrtar të protokolluar më 16 shtator 2016.
Prokurorja Fitore Sadikaj kishte dhënë një version tjetër rreth kësaj ngjarjeje. Në një deklaratë, ajo kishte mohuar se ishte konsultuar me kryeprokurorin Beka për këtë çështje, ani se shënimi zyrtar i saj e dëshmon një gjë të tillë.
"Çështjet penale të cilat i kam punuar unë që nga koha kur kam filluar të punoj si prokurore e deri më tash, i kam vendosur dhe do t’i vendos në bazë të provave të cilat i kam siguruar gjatë kohës së hetimeve dhe në harmoni me ligjin”, kishte thënë Sadikaj. “Në punën time nuk ka ndikuar askush dhe as që do të ndikojë”, kishte shtuar ajo.
Sadikaj kishte insistuar se nuk ka marrë ndonjë mendim nga kryeprokurori, Imer Beka.
Nuk kam marrë mendim nga Kryeprokurori për këtë çështje penale e as për çështje tjera, por e kam njoftuar me rezultatin e hetimeve”, kishte thënë ajo./Insajderi