24 orët e fundit, policia e qarkut Durrës ka qenë mjaft e zënë me dokumentimin e një serie vjedhjesh të regjistruara në qytetin e Durrësit dhe Krujës.

E ndërsa njëri nga rastet është zbardhur duke u vënë në pranga autori, 4 të tjerat janë ende nën hetim dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e hajdutëve.

Por ajo që bie në sy nga rastet e vjedhjeve të regjistruara gjatë së premtes është fakti se hajdutët e kanë “zgjeruar” mjaft gamën e objekteve, që ua kanë vënë syrin.

Kështu, në rastin e zbardhur tashmë nga policia dhe ku është arrestuar 19-vjeçari K. Mersi, banues në Durrës, objekt i vjedhjes janë bërë disa profile duralumini në punishten e përpunimit të duraluminit, në pronësi të shtetasit I.M. 58 vjeç, nga Durrësi.

Ndërkohë, në fshatin Tapizë të Krujës, një hajdut, gjatë natës, ka vjedhur pajisje e vegla pune në banesën e shtetasit M.Ç, vjeç 73.

Por në 24 orët e fundit nuk janë vjedhur vetëm “çikërrima”.

Kështu, në shtëpinë e shtetasit A.L., 25 vjeç, në lagjen nr. 1 të qytetit të Durrësit, hajdutët kanë vjedhur disa bizhuteri.

Ndërsa në lagjen nr. 3 të Krujës, hajdutët kanë vjedhur një sasi lekësh dhe 2 bizhuteri, në banesën e shtetasit M.Q, vjeç 51.

Ndërkohë, tentativa për të vjedhur mjetin tip “BMW-X5”, në pronësi të shtetasit Gj.Sh., vjeç 31, banues në Krujë, ka dështuar.

Për të gjitha rastet policia ka nisur hetimet për veprën penale “Vjedhja” dhe “Vjedhje në bashkëpunim”. 

M.B.