Gjykata e Durrësit vendosi sot që të lërë në “arrest me burg” vëllezërit Konstandin dhe Kujtim Ekonomi të akuzuar për vrasje në bashkëpunim të 60-vjecarit Agim Arapi, mbrëmjen e 11 Prillit. Dy vëllezërit Ekonomi, biznesmenë të njohur në Durrës, nuk kanë folur në gjykatë, përveç të dhënave të gjendjes civile, duke u përfaqësuar nga avokatët e tyre mbrojtës.
Të dy avokatët mbrojtës të të pandehurve i kanë kërkuar gjykatës një tjetër masë sigurie, nga ajo e kërkuar prej organit të akuzës, duke e konsideruar ngjarjen aksidentale. Avokatët mbrojtës kërkuan që kundrejt një mase më të lehtë sigurie, si arrest shtëpiak deri në përfundim të hetimeve, gjykata të vendosë për garanci pasurore, kundrejt lirimit të tyre nga burgu.
Gjatë seancës gjyqësore, të mbajtur paraditen e sotme në Gjykatën e Durrësit, të drejtuar nga gjyqtarja Eda Kaja, janë paraqitur në sallën e gjyqit, dy vëllezërit Kostandin dhe Kujtim Ekonomi, të cilët akuzohen për vrasjen e 60-vjeçarit Agim Arapi. prokurori i mëshoi fort akuzës se vrasja ka ndodhur me dashje dhe me paramendim e për këtë arsye rrezikshmëria e dy vëllezërve Ekonomi është e tillë që nuk duhet të lirohen nga burgu.
Në sallën e gjyqit, dy vëllezërit e kanë pranuar konfliktin me viktimën dhe sipas tyre, kanë shkuar në dyqanin e Arapit për t’u sqaruar.
Neritan Tabaku, avokat mbrojtës i Kostandin Ekonomit, tha se thika e gjetur në vendngjarje i përkiste viktimës dhe jo të pandehurve.
Prokurori i çështjes, gjatë raportit të mbajtur, tha se dyshohet se në vendngjarje ka qenë edhe dhëndrri i njërit prej të dyshuarve Kostandin Ekonomit, Jurgen Kurti, por që deri tani nuk ka asnjë veprim juridik mbi të.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar, në Bulevardin Epidamn.
K.H.





