Vjollca Arapi, bashkëshortja e Agim Arapit, dëshmitarja e vetme e masakrimit të të shoqit me sende të forta nga dy vëllezërit Ekonomi, mbrëmjen e 11 Prillit në Durrës, hedh dritë mbi atë çfarë ndodhi atë natë.

55-vjeçarja tregon se shkak i vrasjes ishte 23-vjeçari Jurgen Kurti, të cilit zonja i kish kërkuar qeranë mujore prej 130 mijë lekësh të vjetra, që i detyrohej për tubin e aspirimit të picerisë.

Vjollca, përmes lotëve, tregon se Kostandin Ekonomi dhe vëllai i tij Kujtimi, të arrestuar nga policia e Durrësit pas ngjarjes, erdhën në dyqanin e tyre ushqimor, së bashku me Jurgenin.

“Më thanë kërkoi falje Jurgenit në të kundërt do t’ju vrasim. Ata erdhën dhe ulën qepenin, ndërsa unë dola të kërkoja ndihmë. Me telefon në dorë kërkoja ndihmë, ndërsa ata brenda dyqanit e kishin masakruar Agimin. Unë nuk e pashë, kur Jurgeni erdhi dhe në polici dëshmova që ishin vetëm dy vëllezërit Ekonomi. Kur pashë pamjet e filmimeve, pashë që Jurgeni e ka qëlluar me një mjet të fortë në hundë, duke i shkaktuar edhe thyerje të plotë të kockës së hundës. 8 muaj më parë Agim Arapi i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje në zemër” rrëfen Vjollca Arapi.

Për këtë ngjarje të rëndë, policia ka arrestuar dhe nesër pritet të dalin për masë sigurie dy vëllezërit Kostandin dhe Kujtim Ekonomi.

Sipas policisë, nga ekspertiza mjeko- ligjore u vërtetua se shtetasi Agim Arapi ka ndërruar jetë për shkak të problemeve që ka pasur me zemrën, pasi nuk ka përballuar dot goditjet me grushta, të kryera nga autorët.