Një atentat me armë zjarri ka ndodhur një natë më parë në autostradën Tiranë-Durrës, fatmirësisht pa pasoja në jetë njerëzish.

Policia thotë se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:30, ka ardhur një telefonatë nga shtetasi E.M., i cili pretendon se është qëlluar nga një person me motor.

“Më datë 10.04.2017, rreth orës 21:30, te nr. i emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë nga shtetasi E. M., i cili njofton se në autostradën Tiranë-Durrës, një shtetas me motor ka qëlluar me armë zjarri. Menjëherë janë nisur Shërbimet e Policisë të cilët kanë kontaktuar me shtetasin E. M., ku ka sqaruar se: “Rreth orës 19:50, ka qenë duke hyrë për në servis me automjetin e tij tip “Porsche”, kur është afruar një shtetas me një motor papaq, i cili ka qëlluar në drejtim të tij dhe pasagjerit të automjetit shtetasit K. M., ku si pasojë është plagosur lehtë në dorë shtetasi E. M.”, sqaron policia.

Grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarje.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së parë Tiranë, për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentative” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”.