Disa segmente rrugore në qendër të Durrësit janë në gjendje skandaloze, pa asfalt dhe me gropa, ndërsa pusetat janë pa kapak, duke u kthyer kështu në burim aksidenti.

Në shumë prej tyre nuk investohet prej vitesh, pavarësisht se janë rrugë me frekuentim të gjerë, si nga ana e automjeteve, ashtu edhe të këmbësorëve.

Njëra prej tyre është edhe rruga kryesore prenë Mauzoleumit të Dëshmorëve, apo siç njihet ndryshe Lagja e Re. Siç shihet edhe nga pamjet, gropat dhe rruga e shkatërruar ua vështirësojnë lëvizjen qytetarëve. Ndërsa në ditë me shi, situata bëhet edhe më e rëndë.

Banorët shrehen të shqetësuar për “DurrësLajm”, se në këtë zonë askush nuk është kujtuar për përmirësimin e saj. Ata thonë që ka rreth 20 vjet që nuk vihet dorë në të. Qytetarët shtojnë se nga premtimet e pambajtura kanë humbur besimin se rruga do të mund të rikonstruktohet.