Grupi hetimor ka rindërtuar edhe njëherë ngjarjen e mbrëmshme të vrasjes së ish-zyrtarit të lartë të policisë së shtetit, Artan Cuku.
Ish-zyrtari i lartë i policisë së Shtetit, pasi ka përcjellë familjen e tij, gruan dhe dy fëmijët për në banesë, vetë ka qëndruar për disa minuta në një supermarket për të blerë diçka.
Njëri nga autorët ka qenë i fshehur te holli i pallatit, ndërsa personi tjetër e ka pritur te hyrja Cukun.
Teksa ka dalë nga supermarketi, Cuku është përballur me dy autorët.
Artan Cuku është qëlluar me 5 plumba, njëri në kokë dhe 4 të tjerë në gjoks. Autorët e kanë qëlluar 5 herë duke u siguruar se e kanë lënë të vdekur.
E gjithë ngjarja ka ndodhur në më pak se një minutë, rreth 40 sekonda, ndërsa më pas dy autorët janë larguar me shpejtësi duke përfituar nga nata.
Policia ka nisur kontrollet në zonë për armët e krimit, pasi dyshohet se është hedhur nga autorët, ndërsa janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së bizneseve për të çuar në identifikimin e autorëve.
TRE PISTAT
Hetimet janë drejtuar në tre pista ku e para bën fjalë se krimi mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës së tij si polic dhe e dyta bën fjalë për shkak të konkurrencës, pasi Artan Cuku kohët e fundit menaxhonte një kompani private sigurimi.
Ndërkohë pista e tretë sipas grupit të hetimit është ajo hakmarjes pasi ka dyshime të forta se ekzekutimi i ish-drejtuesit të Lartë të Policisë, lidhur me një ngjarje të vitit 2005, kur në zyrën e tij është vetëvrarë 25-vjeçari Artan Daka.
Në atë kohë Artan Cuku ka qenë me detyrën e shefit të krimeve në komisariatin nr. 4 në Tiranë, kur kishte shoqëruar shtetasin Artan Daka, ky i fundit vëllai i një personi të kërkuar nga policia.
Sot në orën 12:00 në Drejtorinë e Policisë së Tiranës do të zhvillohen homazhe për Artan Cukun.





