Tërmeti i djeshëm që ra në vendin tonë, nuk kaloi pa pasoja. Emergjencat Civile kanë raportuar mëngjesin e sotëm bilancin e dëmeve materiale që la pas tërmeti i një dite më parë me epiqendër Mirditën.

Më datë 08.04.2017, ora 15:52:57, Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, ka regjistruar një lëkundje tërmeti me magnitudë ML=5.1 Rihter, me thellësi 15 km dhe me epiqendër në fshatin Kthellë, Njësia Administrative Kurbnesh, bashkia Mirditë”.

Mësohet se lëkundjet e tërmetit kanë qenë të forta dhe janë ndier në qytet Shkodër, Lezhë, Burrel, Dibër, Klos, Tiranë, Krujë dhe Elbasan.

Emergjencat Civile bëjnë me dije se tërmeti ka shkaktuar çarje të mureve të banesave në këto zona:

-Në fshatin Përlat i Epërm, Njësia Administrative Kurbnesh, është dëmtuar banesa e 1 shtetasi.

-Në bashkinë Klos kanë pësuar çarje të mureve 5 banesa.

-Në fshatin Bardhaj, Njësia Administrative Kurbnesh, është dëmtuar 1 banesë.

-Në fshatin Bulshare, Njësia Administrative Orosh, është dëmtuar 1 banesë.

-Në Njësinë Administrative Orosh, bashkia Mirditë është dëmtuar 1 banesë.

MASAT

Emergjencat Civile thonë se është ngritur grupi i punës për të verifikuar ditën e sotme të gjitha banesat të cilat kanë problematikë për shkak të lëkundjeve të tërmetit në bashkinë Mirditë.

Emergjencat Civile kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësues të pushtetit vendor për të marrë çdo informacion rreth dëmeve të shkaktuara dhe marrjen e masave për përballimin e situatës.