Drejtori i policisë së Tiranës Ervin Hodaj ka dhënë detaje mbi ekzekutimin e ish-drejtorit të policisë së Vlorës Artan Cuku.

Duke folur nga vendi i ngjarjes, Hodaj tha se është ende herët për të folur për dinamikën e vrasjes së ish-drejtorit të policisë së Vlorës , por paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur për shkak të detyrës. Ai tha se janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorëve.

“Kanë shkuar shërbimet në vendin e ngjarjes ku kanë konstatuar të goditur me armë zjarr ish-drejtorin e policisë Artan Çuku rreth 40 vjeç. Plumbat kanë qenë fatalë për jetën, nuk ka pasur mundësi për transport në spital. Është krijuar grupi hetimor, janë ngritur postblloqe. Janë dhënë të dhënat mbi autorët e mundshëm, është ngritur grupi hetimor si nga policia e shtetit dhe ajo e Tiranës me ekspertët më të mirë për të zbardhur këtë ngjarje. Jemi në fazat e para të hetimit, nuk mund të shprehem lidhur me mekanizmin dhe autorët, por angazhimi ynë është maksimal për ta zbardhur këtë ngjarje”.

I pyetur nësa ka pasur ndonjë kërkesë nga viktima se ka qenë i kërcënuar, drejtori Ervin Hodaj deklaroi se “Nuk kemi pasur. E thashë  jemi shumë herët për të krijuar pista të mundshme, por po punojmë”.

Dyshimet e para janë se vrasja e tij është bërë për hakmarrje për një ngjarje në vitin 2004.