Dalin detaje të reja në lidhje me vrasjen e 39-vjeçarit shqiptar Besnik Metaj, në Itali. Trupi i tij u gjet pak ditë më parë në një pyll në Como, rreth 3 javë pasi ishte zhdukur.

Ka qenë pikërisht vëllai i  viktimës ai që ka denoncuar zhdukjen e tij. Altin Metaj banon në Colle Umberto.

“Jemi në zi, përpiquni të kuptoni si ndihemi në këto momente”, u thotë ai mediave italiane, të cilat shkruajnë se familja e tij njihet si e rezervuar, por e integruar mirë në zonë.

Prej një muaji, ai nuk dinte asgjë për të vëllanë, i cili u gjet rastësisht të dielën, ndërsa një grup të rinjsh po bënin një ekskursion në pyllin e Eupilios.

Ata vunë re një fytyrë njeriu dhe pasi gërmuan zbuluan trupin. Shkaku i vdekjes janë dy plumba në kokë. Identifikimi i tij u bë i mundur vetëm nëpërmjet gjurmëve të gishtërinjve.

Mënyra e ekzekutimit, për hetuesit, të çon drejt vrasjes së tipit mafioz.

Metaj kishte disa precedentë pa ndonjë rëndësi të madhe me policinë italiane, por asnjë indicie që mund të çonte drejt lidhjeve të tij me krimin e organizuar.

Ka disa dyshime se ai mund të jetë bërë dëshmitar në diçka të paligjshme dhe më pas është eliminuar, në mënyrë që të mos fliste. Megjithatë, hetuesit po hetojnë në të gjitha pistat. Besnik Metaj nuk banonte në të njëjtën zonë me të vëllain.