Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-zv/drejtorin e Burgjeve, Iljaz Labi, i akuzuar për korrupsion me tendera. Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Labi u arrestua më 11 korrik të vitit të shkuar. Sipas hetimeve të organit të akuzës, mësohet se administratorët e kompanive bënin marrëveshje për të kryer konkurrim fiktiv në tenderat e zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për furnizimin me ushqime.
Më pas, administratorët takoheshin me njëri-tjetrin dhe binin dakord për pjesëmarrjen në tender, duke shkëmbyer informacionin dhe duke përpiluar dokumentet e pjesëmarrjes në prokurime, në mënyrë të tillë që të fitonte njëri prej tyre, sipas bisedave që ata bënin.
Shoqëritë, të cilat pranonin të përpilonin dokumentacion për të mos fituar, përfitonin duke lidhur kontrata formale dhe jo formale me shoqëritë fituese dhe operonin në cilësinë e nënkontraktonit me njërën nga shoqëritë fituese. E gjithë kjo skemë, sipas prokurorisë, ka pasur edhe mbështetjen e zv/drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Iljaz Labi, i cili krijonte lehtësirat e nevojshme për tenderat.
Për këto veprime, ai paguhej nga administratorët me 2 milionë lekë të reja. Për ta vërtetuar gjithë këtë skemë mashtrimi, Prokuroria për Krime të Rënda ka arritur të provojë me fakte konkrete se administratorët e kompanive kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, me qëllim marrjen në mënyre fiktive të prokurimit me objekt “Blerje bulmet dhe veze”, e cila ka datë lidhje kontrate 31.05.2016 dhe me vlerë totale të kontratës rreth 23 milionë lekë.





