Prej 28 vitesh një shqiptar nga Kosova jeton në Zvicër, së bashku me bashkëshorten dhe pesë fëmijët. Tani i dënuari me 8.5 vjet burg duhet ta lëshojë vendin helvet, shkruan “Aargauer Zeitung”.
53-vjeçari kishte marrë lejeqëndrimin në vitin 1996, ndërsa dy vjet më vonë udhëtoi edhe gruaja e tij së bashku me katër fëmijët në Zvicër. Çifti solli në jetë një fëmijë tjetër në Zvicër. Pasi shqiptari kishte borxhe për shkak të mashtrimeve, duhej të mbështetej nga ndihmat sociale.
I dënuar me 8.5 vjet burg
Para pesë vjetëve Zyra për Emigracion në kantonin Basel e pezulloi zgjatjen e lejeqëndrimit të tij. Sebep për këtë ishte dënimi prej 8.5 vjetësh për shkak të allishverisheve të drogës, pastrimit të parave, kërcënimeve. Gjykata e pranoi kërkesën e Zyrës për Emigracion në Basel, përkundër që ai u shfajësua me pretekstin se një i afërt i tij kishte qenë përgjegjës për gjithë këto shkelje ligjore. Ndarja e tij nga familja duhet të jetë e vështirë, pasi njëri nga fëmijët nuk ka mbushur as edhe një vit. Gjykata e arsyetoi vendimin se qëndrimi larg Zvicrës i shqiptarit është në interesin publik, për dallim nga qëndrimi i tij afër familjes që lidhet me interesin privat. 53-vjeçari u shpall i fajshëm si transportues i tetë kilogramë heroine dhe një kilogram kokaine si dhe pjesëtar i një bande tepër të rrezikshme ndërkombëtare.
Për katër vjet ka qenë “shefi i transportimit” të drogës, ku duhet të ketë fituar deri në 100.000 franga.
Në të ardhmen bashkëshortja dhe pesë fëmijët duhet të udhëtojnë për në Kosovë, për të parë babain e tyre./Bota sot/