Ai u arratis nga burgu tre javë më parë, por tashmë duhet të kthehet sërish në burg. Besnik Mirra u kap nga policia në një kamp të pastrehësh në Milano, raportojnë sot mediat lokale.
35-vjeçari arriti që të arratisej më 17 Mars nga burgu i Alessandria-s në Itali, “San Michele”, duke përfituar nga mosfunksionimi i kamerave të vëzhgimit.
Mirra ishte duke bërë disa punë mirëmbajtjeje në ambientet e parkingut të burgut, kur ka kapërcyer telat e rrethimit dhe është larguar. I favorizuar edhe nga një bllokim i sistemit të mbikëqyrjes me kamera, ai u arratis. Pas kësaj, alarmi ka shpërthyer menjëherë dhe nisur kërkimet.
Sipas autoriteteve italiane të burgjeve, i dënuari ka vuajtur 10 vite burgim për disa grabitje, vjedhje dhe rezistencë ndaj zyrtarëve publikë, dhe duhet të dilte nga burgu në vitin 2024.





