Vigjilje e javës së fundit, për fat ende asgjë nuk është vendosur për sa i përket titullit, zyrtarisht me 4 pretendentë, me Teutën dhe Vllazninë më pranë tij, kombinime të pafundme llogarish e rezultatesh, që shtojnë akoma më tepër adrenalinën dhe interesin e një fundkampionati për tu mbajtur mend gjatë, ku sërish nuk mungojnë ato që quhen koincidenca apo thënë ndryshe, ironi të fatit. Teuta , skuadra që ka shënuar më pak nga të gjithë pretendentët mund ta fitojë titullin vetëm falë një goli më tepër se Vllaznia.
Në fillim të sezonit e quajtën skuadrën e barazimeve, por ja që një barazim ndaj Lacit ishte ai që I rriti përfundimisht kuotat për tu bërë kampione. Në Shkodër ndërkohë ka nisur ajo që mund të quhet Koco-Mania.
Vështirë se Presidenti i Apolonisë të ketë marrë më shumë mesazhe në rrjetet sociale, tërë Shkodra i kërkon që Apolonia e tij të luajë fort ndaj Teutës, dhe në fakt premtimi i tij nuk ka munguar, për një betejë të fortë sportive nga ana e fierakëve.
Vllaznia i kërkon Apolonisë që ti vërë kycin portës para Teutës, por ndërkohë është pikërisht Apolonia ndaj së cilës Vllaznia ka siguruar fitoren më të thellë, një 6-0 në fazën e fundit, goleadë pa të cilën sot nuk do të ishte këtu duke luftuar për titullin.
Dicka tjetër, në Shkodër kërkojnë një nder nga Apolonia, por harrojnë se nuk duhet ta marrin të mirëqenë fitoren ndaj Laçit, i detyruar ashtu si fierakët të luftojë fort për të respektuar garën, kurbinasit janë një skuadër e fortë, ende matematikisht me shanse për titullin dhe vështirë tu shënosh me breshëri, edhe pse ironi e fatit në portë si titular kanë Alen Sherrin, një shkodran që deri dje nuk e imagjinonte se i duhet të bëjë propfesionistin, dhe kështu mund t’i heqë titullin nga duart Vllaznisë s së tij. Shkodran nuk është vetëm Sherri, është po ashtu Edi Martini, në lot pas fitores së Vllaznisë ndaj Partizanit dhe barazimit të skuadrës së tij në Laç, dhe te Teuta madje ka në dispozicion edhe bashkëqytetarë të tij Denis Pjeshkën e Ildi Grudën.
Koinçidenca e rastësi që e bëjnë akoma më të bukur, intrigën e titullit në javën e fundit.





