Një krim i rëndë tronditi opinionin publik në Durrës dhe jo vetëm, mesditën e sotme, kur në një shtëpi private 1-katëshe, në lagjen nr.10, u gjetën të vdekur 25-vjeçari Ersid Curri dhe gjyshja e tij e moshuar, Hurma Curri, 80 vjeçe.

Ndërsa hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë vijojnë ende, sipas informacioneve paraprake të policisë, dyshohet se 25-vjeçari ka vrarë më parë gjyshen dhe më pas veten.

Banesa është gjetur e mbyllur me çelës nga brenda nga familjarët, të cilët ishin ata të parët që zbuluan ngjarjen tronditëse që dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së hënës.

Po ndërsa policia, paraprakisht, dyshon se Ersidi është autori i vrasje-vetëvrasjes, familjarët e tij i besojnë më shumë një tjetër varianti të ngjarjes.

Të kontaktuar nga DurrësLajm ata shprehen të tronditur nga tragjedia që ka prekur familjen e tyre. Dyshimi i tyre kryesor është se 25-vjeçari ka vrarë padashje gjyshen e tij të moshuar, dhe, më pas, në kushtet e një tronditje të thellë psikologjike, ai ka kryer vetëvrasje.

Ata pranojnë se djali i ri vuante nga depresioni. Grupi hetimor është duke kryer veprimet e para proceduriale si dhe ka marrë në pyetje disa nga familjarët e dy personave të vdekur, duke u përpjekur të hedhë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë.