Shkëlqim Fortuzi këshilltari i PD për ekonominë ka mbajtur një raport në emër të PD në Këshillin Bashkiak në lidhje me projektvendimin “Raport për veprimtarinë financiare dhe zbatimin e buxhetit të vitit 2016 të Bashkisë Durrës”.

6 milionë euro i mungojnë buxhetit të Bashkisë së Durrësit, nga mos mbledhja e taksave të qytetarëve. Së bashku me 6 milionë të shpenzuara për “Velierën” dhe 3 milionë për shpenzime luksi, plot 15 milionë euro, i mungojnë arkës së bashkisë nga viti 2016. Këtij qëndrimi i kanë  mëshuar demokratët të cilët kanë bërë denoncim në mbledhjen e Këshillit Bashkik të Durrësit.

Deklarata e plotë:

BUXHETIT FAKTIK TË BASHKISË DURRËS PËR VITIN 2016 I MUNGOJNË MBI 6 MILION  EURO

Në lidhje me projekt-vendimin e buxhetit shtesë të Bashkisë Durrës për vitin 2017,të paraqitur sot për miratim në Këshillin Bashkiak, për shumën 426.435 mijë lekë, që vjen si rrjedhojë e trashëgimit të fondeve, të cilat nuk janë përdorur në vitin 2016, mendoj se këto fonde janë ruajtur qëllimisht, për t'u përdorur për mashtrime elektorale në vitin 2017.

Këtë e vërteton fakti se fondet e mësipërme, nuk do të investohen, për nevoja jetike të qytetarëve durrsakë siç janë:

Zgjidhja e problemit të përmbytjes së qytetit, përpunimi i mbeturinave në Porto-Romano, zgjidhjen e problemit të ujrave të zeza në Shkozet, ish- Kënetë, zgjidhjen e problemit të kullimit dhe ujitjes në zonat e fshatrave etj, por do të përdoren për qoka elektorale, atje ku ka interesa Kryetari i Bashkisë.

Pësa i përket treguesve faktikë të Buxhetit vitit 2016, konstatoj se:

Nga një analizë e hollësishme e treguesve faktikë të Buxhetit të Bashkisë Durrës për vitin 2016, duket qartë, se ka mosrealizime të theksuara, krahasuar me planin e vitit 2016, si dhe ka një rënie të ndjeshme krahasuar me vitin 2015, duke krijuar një shqetësim dhe kërcënim mjaft serioz për jetën e  qytetarëve durrsakë.

Konkretisht më poshtë po rendisim disa mosrealizime:

Të ardhurat tatimore të planifikuara gjithsej për vitin 2016, janë 866.154 mijë lekë, ndërsa të ardhurat faktike të realizuara nga taksat vendore, pa të ardhurat për legalizimet nga Aluizni, janë 630.394 mijë lekë.

(Sepse këto të ardhura nuk janë burim i përhershëm dhe nuk janë meritë e punës së bashkisë Durrës)

Mosrealizimi kundrejt planit është 235.760 mijë lekë,ose -27% më poshtë se plani i miratuar dhe krahasuar me vitin 2015,të ardhurat e vitit 2016,janë -17%,më të ulëta.

Me mosrealizime të theksuara, paraqiten:

Taksa mbi pasurinë nga popullata,e cila është realizuar 39% e planit,duke krijuar një mosrealizim në masën  -61%.

Nga kjo taksë për shtëpitë e dyta në zonën e plazhit dhe për apartamentet e pa shitura janë arkëtuar zero lekë.

Taksa mbi pasurinë nga biznesi, në vitin 2016, nga kjo taksë,krahasuar me vitin 2015, janë arkëtuar -36.506 mijë lekë më pak.

Taksë tabele për qëllime reklame,janë arkëtuar gjithsej vetëm 13.500 lekë,që i korespondon një sipërfaqje prej 0.3 m2,duke shënuar “rekordin”më negativ në mbarë rruzullin tokësor,pasi dihet se vetëm në ballkonin e zyrës së kryetarit të bashkisë, ndodhet një tabelë me sipërfaqje mbi dhjetë metra katrorë,ndërsa në të gjithë teritorin e bashkisë,ndodhen tabela reklame me sipërfaqje mbi 2.000 m2.

Taksa e fjetjes në hotele, është realizuar në shumën 7.822 mijë lekë,ose është arkëtuar vetëm për 22.000 persona gjithsej, apo mesatarisht për 60 persona në natë, kur në Durrës vetëm për periudhën e verës, akomodohen mesatarisht në hotele, mbi 4.000 persona në natë.

Nga përllogaritjet e bëra rezulton se kjo taksë është realizuar në masën 9%, kundrejt mundësive potenciale reale dhe mosrealizimi rezulton – 91%.

Tarifa e gjelbërimit nga popullata, është arkëtuar vetëm 22% e planit vjetor, duke shënuar mosrealizim në masën -78%.

Tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave nga popullata, është arkëtuar në masën 29 % të planit, duke krijuar mosrealizim në masën -71%.

Tarifa e plazheve private,është arkëtuar në masën 89% e planit,por krahasuar me sipërfaqet faktike të plazheve private, kjo shifër rezulton me mosrealizim  – 70%.

Tarifa e ndriçimit nga popullata, është realizuar në masën 20%, duke krijuar një mosrealizim në masën 80%, kundrejt planit.

Tarifa e përdorimit për subjektet që marin leje shfrytëzimi,është realizuar në masën 30%,kundrejt planit duke krijuar një mosrealizim në masën prej -70%.

Krahasuar me vitin 2015,nga kjo tarifë për vitin 2016 janë mbledhur -9.6 milion lekë më pak.

Tarifa e urbanistikës,është realizuar në masën 20%,pra kemi  mosrealizim në masën -80,kundrejt planit,ndërsa krahasuar me vitin 2015, në vitin 2016 nga kjo taksë,janë arkëtuar -2.8 milion lekë më pak.

Si çdo vit më parë nën drejtimin e Dakos, edhe për vitin 2016, bashkia e drejtuar prej tij, të vetmin tejkalim në zërin e të ardhurave buxhetore e ka tek gjobat, të cilat janë realizuar në masën 144%, kundrejt planit, tregues ky i paaftësisë, arrogancës dhe shantazhit mbi bizneset dhe qytetarët durrsakë.

Si për ironi në vitin 2016 edhe pse të ardhurat tatimore,janë me mosrealizim -25% kundrejt planit, shpenzimet operative janë rritur 38% kundrejt vitit 2015, ndërsa shpenzimet kapitale janë ulur -6% kundrejt vitit 2015.

Faktet e mësipërme tregojnë qartë,situatën alarmante që po kalojnë qytetarët durrsakë,nga paaftësia e kësaj qeverisje vendore, që po i bëhet Durrësit nga Z.Dako.

Bazuar në të dhënat potenciale ekonomike që mbart teritori i bashkisë Durrës, paratë që i mungojnë qytetarëve durrsakë, në buxhetin e tyre të vitit 2016, janë mbi 6 milion euro.

Nëse i shtojmë kësaj shifre shpenzimet e luksit 6 milion euro,për shkarravinën e betonit,të quajtur “Veliera” e cila po ndërtohet në kundërshtim me ligjin duke shkatërruar në mënyrë makabre, vlerat arkeologjike mijëra vjeçare të qytetit tonë dhe nëse i shtojmë edhe shpenzimet për shkatërrimin e rrugës së plazhit, në kohën e sezonit turistik prej 3 milion euro, që përveç ngushtimit,zëvendësimit të lulishteve me beton ngjyrë jeshile, ka falimentur  mbi 1000  biznese.

Shpenzimet joefektive plus diferenca e taksave të pa mbledhura në buxhetin e vitit 2016,arrin vlerën mbi 15 milion euro.

Kjo shifër ne ekonomi quhet:”Shpërdorim” ”Evazion”ose “Korrupsion”, emrin le ta vendosin qytetarët durrsakë,organet kontrolluese dhe ato ligjzbatuese. 

K.H.