Në vijim të aksioneve për zbulimin e lëndëve narkotike duke ushtruar kontrolle në sera, tunele, ish-Rezerva Shtetërore, policia e Durrësit ka sekuestruar 35 kg kanabis sativa, 43 fishekë, ndërsa ka ndaluar një shtetas. Po ashtu ka nisur procedimi penal ndaj dy shtetasve dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë.

Droga dhe fishekët u zbuluan në një banesë në fshatin Armadh, ndërsa pronari i saj është shpallur në kërkim.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Specialistët për Krimet në Stacionin e Policisë Manëz, në vijim të zbatimit të planit të masave për evidentimin dhe kontrollin e serave, tunele, ish-Rezerva Shtetërore dhe në çdo ambjent tjetër të mundshëm, ditën e djeshme kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 35 kg Cannabis Sattiva.

Më datë 03.04.2017, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Armadh, Durrës, në banesën  e shtetasit B.Ç. u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

• rreth 35 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva

• 43 fishekë model 56.

Është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e pronarit të banesës, shtetasi:

•B.Ç. 46 vjeç, banues në Armadh, Durrës.

Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lire për veprën penale “Moskallëzim krimi” në ngarkim të shtetasve:

• A.N. 25 vjeç, banues në Bathore, Tiranë;

• B.N. 17 vjeç, banues në Bathore, Tiranë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”parashikuar në nenet  283/1, 278/2 dhe 300 të Kodit Penal.