Pas votimit kundër në Këshillin Bashkiak të Durrësit, ku në pikën e fundit të rendit të ditës mbrëmjen e djeshme, u kërkua rritja e çmimit të ujit të pijshëm me 15%, ka reaguar Ujësjellës Kanalizime Durrës.

Në një njoftim për shtyp, UKD liston arsyet se përse është kërkuar rritja e çmimit të ujit për konsumatorët durrsakë nga 61 lekë/metër kub që është aktualisht, në masën 70 lekë për metër kub.

UKD sqaron se kërkesa e saj për rritjen e tarifave është ajo që ka kërkuar edhe vitin e kaluar, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret nga Enti Rregullator i Ujit nëse do të rritet apo jo, pasi kërkesa e dorëzuar në Këshillin Bashkiak është thjesht dhënie opinioni.

Reagimi i plotë i UKD-së:

Kërkesa e UKD -së për rritjen e tarifave është ajo që ka kërkuar edhe vitin e kaluar, pra rritje të çmimit të ujit në masën 70 lekë për metër kub, largimin e ujërave të zeza në 50 lekë për metër kub dhe tarifën e shërbimit në 150 lekë. Pra çmimi i ujit kërkohet të rritet në masën 15% për kategorinë e abonentëve familjarë.

Aktualisht konsumatorët familjarë e paguajnë ujin e pijshëm me 61 lekë një metër kub, ndërsa ujërat e zeza me 37 lekë për metër kub, tarifa e shërbimit është 120 lekë. Ujësjellës Kanalizime Durrës ka përmirësuar treguesit financiarë në vitet 2014 dhe 2015, por ende mbulimi i kostove nuk realizohet në masën 100 për qind, i cili është kusht nga Banka Botërore që të mund të përballohet kredia e projektit që po realizohet për ndërtimin e ujësjellësit të ri për qytetin e Durrësit.

Aktualisht të ardhurat nga shitja mbulojnë më pak se 70 për qind të kostove operative, ndërkohë që Banka Botërore kërkon mbulimin e tyre në masën 100 për qind që të mund të paguhen pa probleme këstet e kredisë. Specifika e ujësjellësit aktual të Durrësit dihet tashmë, pasi ai ka një vendburim prej 45 km larg qytetit dhe ardhja e ujit nga vendburimi deri në destinacion ka kosto të madhe të shpenzimit të energjisë elektrike. Rreth 50 për qind e kostos totale shkon për energjinë elektrike, e cila do të shtohet edhe me 10 për qind më shumë në momentin që do të vihet në punë stacioni i ri i pompimit në projektin e ri.

Nga ana tjetër, rritja e çmimit të energjisë elektrike ka bërë që kostoja e saj të rritet me 27 për qind krahasuar me koston totale të vitit 2014, vit kur çmimi i energjisë nuk ishte rritur. Këto janë arsyet që është kërkuar rritja e tarifave në nivelin prej 70 lekë për metër kub ujë. Gjithsesi, vendimi përfundimtar pritet të merret nga Enti Rregullator i Ujit nëse do të rritet apo jo çmimi i ujit, pasi kërkesa e dorëzuar në Këshillin Bashkiak është thjesht dhënie opinioni.