Disa qytetarë durrsakë raportuan pak minuta më parë, pranë redaksisë së DurrësLajm, se në portin e Durrësit kishte rënë zjarr, pasi një shtëllungë e madhe tymi të zi ngrihej në ajër.
Ndërkohë, një video e mbërritur pranë redaksisë sonë zbulon se ajo që në fillim u mendua se ishte një vatër zjarri në portin më të madh në vend, nuk ishte gjë tjetër veçse tymi i dalë nga njëri prej trageteve të ankoruar në terminal.
Siç shihet nga pamjet filmike të xhiruara nga një qytetar, nga njëri prej oxhakëve (fumajoli) të tragetit Rhapsody, i kompanisë së lundrimit GNV, del tym i zi, pasi duket se trageti në fjalë ka qenë duke bërë ndonjë test me motorët.
Kjo mund të jetë një procedurë standarte e tragetit në fjalë, por në këtë rast pyetja që shtrohet është kush mban përgjegjësi për këtë ndotje të ajrit. Fakt është që shtëllungat e tymit të zi kanë vijuar për mëse çerek ore duke lëshuar në ajrin që më pas të gjithë ne do të thithim, një sasi mjaft të madhe dioksid karboni.
Shihni pamjet që nuk kanë nevojë për shumë koment.
M.B.





