Policia e Shtetit ka përjashtuar nga radhët e saj disa punonjës të policisë, pasi akuzohen për shkelje të detyrës, ndërsa dyshohet se janë përfshirë në rastet e favorizimit të lëndëve narkotike në Kurbin.
Ka qenë vetë kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako ai që ka bërë të ditur lajmin gjatë një konference për shtyp, ndërsa theksoi se këto lëvizje kanë prekur Komisariatin e Lezhës dhe Kurbinit.
“Nga plani i veprimit kundër kultivimit të kanabisit, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, ka nisur zbatimi i masave konkrete. Policia po vijon në mënyrë të pandërprerë kontrollet në ish-magazinat shtetërore, banesa të braktisura, serat dhe çdo vend që ka risk. Paralelisht me kontrolle nga toka dhe ajri, policia ka marrë konkretisht aksione në gjithë qarqet. Policët kishim marrë urdhrin se nuk do të përfshiheshin në favorizimin e drogës, dhe do merrej masa të ashpra. Më 1 prill në rrethin e Kurbinit u konstatuan 530 fidanë. Në lidhje me këtë fakt u kryen të gjitha hetimet procedurale. Njëkohësisht në lidhje me rastin e konstatuar filloi procedimi disiplinor për punonjës të policisë së Lezhës dhe Kurbinit, U konstatuan një sërë shkeljet nga efektivë policie”, tha Çako.
Janë marrë masat ndaj punonjësve si më poshtë:
- Inspektor Gjon Deda, me detyrë Ndihmës specialist SPZ, në Njësinë Administrative Fushë Kuqe, Komisariati i Policisë Kurbin, për shkelje të rënda disiplinore, u përjashtua nga Policia e Shtetit.
- Nënkomisar Edvin Toptani me detyrë, Specialist në Seksionin e Hetimit të Krimeve, Komisariati i Policisë Kurbin, për shkelje të rënda disiplinore, u përjashtua nga Policia e Shtetit.
- Komisar Leonard Palushi, me detyrë Shefi Seksioni për Krimet, Komisariati i Policisë Kurbin, për shkelje të rënda disiplinore, u shkarkua nga detyra.
- Komisar Xhafer Kalbaj, me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet, Komisariati i Policisë Kurbin, për shkelje të rënda disiplinore, u shkarkua nga detyra.
- Kryekomisar Feliks Hysa, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kurbin, për shkelje të rënda disiplinore, u shkarkua nga detyra.
- Kryekomisar Maksim Bejko, me detyrë Shefi i Sektorit të Krimeve në Drejtorinë e Policisë Vendore Lezhë, për shkelje disiplinore , u pezullua nga detyra, deri në përfundim të hetimit disiplinor.
Gjithashtu Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar procedimin disiplinorë për Drejtorin Ermal Muça dhe Zëvendësdrejtorin e Policisë Vendore Lezhë, me qëllim sqarimin e përgjegjësive drejtuese dhe organizative të strukturave në vartësi.





