“DurrësLajm” zbardh detaje të reja nga sasia prej 2.2 tonë kanabis që ka kaluar nga porti i Durrësit dhe që u kap në Ankona.

Burime nga Policia Kuftare bëjnë me dije për “DurrësLajm” se është ngritur një grup hetimor, të cilët janë duke marrë në shqyrtim të gjithë praktikën doganore dhe atë të Policisë Kufitare që është kryer për kamionin e nisur nga porti i Durrësit me destinacion Ankonën, i ngarkuar me materiale gipsi. Ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kamioni është zhdoganuar, ka kryer të gjitha procedurat doganore në Doganën e Tiranës. Kamioni është në pronësi të kompanisë “ISLA”, me seli në Vaqarr.

Kamioni është plumbosur në doganën e Tiranës. Kur ka mbërritur në portin e Durrësit, subjekti ka rezultuar pa risk, çdo të thotë se kamioni nuk i është nënshtruar procedurës së skanimit nga dogana. Kjo, sepse subjektet që rezultojnë me risk ose me të kuqe, i nënshtrohen skanimit, në të kundërt jo.

Kamioni është futur në ambientet e Policisë Kufitare, ku iu nënshtrrua kontrollit të efektivëve. Kontrolli i është bërë në pjesën e jashtme të rimorkios dhe në pjesën e poshtme. Dhe ligjërisht, Policia Kufitare thotë se e kanë kryer kontrollin për aq sa ua lejon ligji. Se çfarë ngarkese ka brenda kamioni, është detyrë e doganës, e cila është autoriteti përkatës që duhet të kontrollonte të gjithë mallin që do të kalonte, thanë burime nga nga Policia Kufitare.