Dy projektet madhore, ku bashkia e Durrësit ka përqendruar shumën më të madhe të fondeve të buxhetit të qytetit, Veliera dhe rruga “Pavarësia” në plazh, kanë ngjallur reagime të shumta mes qytetarëve.

Ndërsa zhurma për Velierën vazhdon ende, për zbulimet arkeologjike dhe historike të bëra aty dhe fatin që do të kenë ato, rruga e plazhit duket se po ua nxin jetën durrsakëve, qoftë banorëve të lagjes nr.13, qoftë qytetarëve durrsakë dhe atyre që vijnë kryesisht nga Tirana në fundjavë, për të frekuentuar këtë zonë turistike.

Pas publikimit nga DurrësLajm të lajmit se një pjesë e konsiderueshme e rrugës “Pavarësia” do të jetë vetëm me dy korsi, në rrjetet sociale qytetarët kanë reaguar mjaft negativisht ndaj projektit të bashkisë, që vijon prej rreth një viti.

Shumë prej tyre theksojnë në komentet e tyre se ndryshimet në rrugën ekzistuese do t’ia bëjnë jetën “malore” atyre që do ta frekuentojnë këtë aks në kulmin e sezonit turistik.

Trafik, orë të tëra pritjeje, mungesë parkimesh dhe largim të pushuesve, parashikojnë komentuesit. Madje disa prej tyre shprehen edhe më pesimistë, duke deklaruar se “na kan bo me ik nga qyteti i lindjes”.

Ndërsa të tjerë nuk harrojnë të bëjnë ironi duke ftuar qytetarët të votojnë sërish për drejtuesit lokalë. 

Ndiqni më poshtë komentet e qytetarëve durrsakë:

M.B.