2017-a është, pa asnjë dyshim, një vit që gazetarja dhe moderatorja e njohur Fiori Dardha do ta gdhendë në bllokun e kujtimeve. Jo vetëm për sukseset në sferën profesionale, por sidomos edhe për ato personale. Projektet e reja televizive, por edhe ngjarja e madhe në jetën personale ia kanë shtuar edhe më shumë entuziazmin për të bërë gjëra më të bukura e me shumë energji.

Pas një serie fotosh të bardha të ndara për të gjithë miqtë që iu bashkuan gëzimit të dasmës së saj, një foto me mikrofon ngriti pikëpyetjet: Një këngë tanimë? Një program tjetër? Ҫfarë do të jetë e radhës?

Dhe nuk vonon shumë e Fiori zbulon detajet. Për t’iu kthyer magjisë e dashurisë së vjetër, moderatorja e “Boom” ka gjetur edhe një hapësirë tjetër në Ora News – në një dhomë tjetër – siҫ e quan ajo këndin e ri nga i cili do të flasë nga mikrofoni. Këtë herë nuk është televizioni, por radio Ora News, në të cilën, duke filluar që nga 3 prilli, Fiori do të ketë një program të sajin që do të jetë edhe më pranë publikut dashamirës të radios.

Në një prononcim ekskluziv për Class, Fiori tregon se përmbajtja e këtij programi do të jetë e larmishme. Natyrisht, do të ketë pak nga të gjitha, mes tyre edhe ngacmime nga aktualiteti e politika (si mund të ndodhë ndryshe kur në mes është Fiori?): “Është një program argëtues e gjithëpërfshirës. Do të ketë disa rubrika, që nga showbiz-i, pak koment politik, tema sociale, quize etj. Sigurisht, edhe shumë muzikë shqip”, – tregon moderatorja.

“Me Fiorin”, titulli i programit që do të shoqërojë publikun radiofonik ҫdo të hënë e të premte duke filluar nga 3 prilli, ka një të veҫantë që do ta diferencojë nga formatet e këtij lloji. Siҫ tregon vetë moderatorja, risia qëndron te mënyra se si do të vendoset komunikimi me publikun: “Komunikimi me publikun do të jetë parësor e mendoj se mënyra si do të vijë publiku në emision do të jetë edhe e veҫanta e këtij programi…” – thotë ajo, pa dhënë asnjë detaj më shumë.

Është mjaft si për fillim: ҫdo të hënë e të mërkurë, duke filluar nga data 3 prill, në orën 17 deri 18. 30 në radion Ora News.